E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH-ja, përcakton listën e re të barnave me rimbursim për 2009-ën



Emanuela Sako

Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë hartuar listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2009-ë. Propozimet e bëra nga Komisionit i Hartimit të Barnave të rimbursueshme në MSH, tashmë janë dorëzuar pranë Ministrisë së Financave për të bërë përllogaritjet nëse janë të përballueshme ose jo. Ndërsa pritet vendimi i Këshillit të Ministrave, i ditës së mërkurë, të vendosë përfundimisht për barnat që do të jenë këtë vit me rimbursim. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë ka mbyllur të gjitha propozimet e listës, si dhe ka parashikuar se cilat nga ilaçet e sugjeruara do të jenë në rimbursimin e këtij viti. Ndërsa komisioni i hartimit të kësaj liste ka propozuar dy barna të reja dhe shumë të shtrenjta që janë për sëmundjet e gjakut.
Propozimet
Sipas komisionit të hartimit të listës së barnave, janë propozuar që këtë vit të jenë pjesë e rimbursimit medikamentet për të sëmurët të cilët kryejnë transplantim dhe për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda të gjakut, siç është leucemia. Një pjesë e pacientëve që vuajnë nga sëmundje të gjakut (leucemi), sëmundje të veshkave apo të sëmurët mendorë, do të përfitojnë falas një pjesë të barnave. Komisioni, i mbledhur në muajin mars, ka shqyrtuar kërkesat dhe ka vendosur që për sëmundjet e rënda, që kërkojnë marrjen e vazhdueshme të kurës me barna të shtrenjta, të përfitohen falas. Lista e re e barnave është mbyllur si çështje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Specialistët e Drejtorisë së Farmaceutikës kanë përzgjedhur sugjerimet nga klinikat e spitaleve, specialistëve, mjekëve nga i gjithë vendi, si dhe firmave farmaceutike.
Miratimi i listës
Projektvendimi i listës së re të barnave ndodhet tashmë pranë specialistëve të ekonomisë, për kryerjen e përllogaritjeve të kostos së saj, për të dalë në konkluzion për mundësitë e përballimit për barnat. Ditën e mërkurë, Këshilli i Ministrave pritet të miratojë këtë listë të re të barnave, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të botojë të përmbledhur dhe të plotë listën e barnave me të gjitha klauzolat përkatëse. Një pjesë e barnave alternative apo e disa form-dozave, si dhe zëvendësimet e reja të barnave, të cilat kanë qenë pjesë e rimbursimit vitin e kaluar, pritet të dalin jashtë skemës së këtij viti. Një pjesë e barnave, që do të jenë pjesë e listës për të vendosur alternativat më të mira dhe më efikase, përfshijnë kategoritë e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, prostata, tensioni, sëmundjet e sistemit nervor, frymëmarrja apo hormonet.

Ilaçet me rimbursim

Nga lista e barnave me rimbursim më tepër përfitojnë pensionistët, të cilët janë kategoria me sëmundshmërinë më të lartë. Po kështu, përfshihen edhe fëmijët apo kategori të tjera. Pavarësisht se një pjesë e mirë e tyre përfitojnë nga lista e barnave, për të marrë ato ilaçe për të cilat kanë paguar “kuota” në formën e kontributeve gjatë viteve, një pjesë e konsiderueshme janë të detyruar të blejnë barna edhe jashtë kësaj liste.
Vitin e kaluar listës së barnave iu shtuan 21 barna të reja.
Lista me 21 barnat e reja përfshin kryesisht kurimin e disa sëmundjeve si diabeti, zemra, skleroza multiple etj. Në këtë listë prioritet kanë pasur fëmijët dhe të sëmuret kronik. Listës së vitit të kaluar u zëvendësuan me barnat e rimbursueshme të listës 2007-ës me formë-doza të tjera të të njëjtit princip aktiv dhe me principe aktive alternative. Këto barna u zëvendësuan pasi nuk prodhohen dhe tregtohen më në vendin tonë. Ato janë zëvendësuar me formë-doza të ngjashme, të cilat nuk cenohet absolutisht trajtimi i pacientëve. Ndërsa, rreth 9 barna të tjera u hoqën nga lista e rimbursimit, pasi këto barna kanë alternativa në listë për trajtimin e sëmundjeve.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›