Fëmijët tanë, çfarë po rrisim?
Rrugët në jetë janë rrjetë që të merr mend dhe në pazëllin e ndërlikuar është sipërmarrje më vete të drejtosh fëmijën tënd. Lindim idealistë me të njëjtin mendim për të drejtën që pastaj e ndryshojmë rrugës sepse ajo çka perceptohet intuitivisht për të qenë e drejtë është dhe më e vështira dhe më e pamundura. Atëherë kur e dimë që përceptimi mbi të drejtën do të marrë bark gjatë rrugës apo do të pësojë përthyerje, pse nuk kemi guximin t’u themi fëmijëve tanë që të jenë qenie të përshtatshme, të marrin formën e enës ku qëndrojnë dhe të lakohen sipas përthyerjes së më të fortit, më të pushtetshmit për momentin? Sipas ligjit të përshtatjes kështu do të mund të mbijetonin, edhe pse do të na dukeshin fëmijë bastardë, pjellë të gjithkujt e pa tipare të dukshme të tyret për të trashëguar. A mos vallë ne nuk kërkojmë në thelb vetëm mbijetesën, por kërkojmë mbijetesën e gjenit tonë, të asaj që mund të mbizotërojë e të dallohet ndër të tjerë? Po kush e vërteton se gjeni ynë mbijetues është ai i duhuri? E ç’lidhje ka në fund të fundit e gjithë historia që dua të rrëfej me mbijetesë gjenesh? Apo ndoshta meqenëse bëhet fjalë për dije biologjike, rruga e arsyetimit më përplas tek gjenet? Ndoshta, po apo që po kërkoj të shpjegoj në lëmshin e arsyetimit është: si t’ua mësojmë fëmijëve tanë se çfarë është e drejtë të bëjnë e çfarë jo, kur pushtetarët mësues i kanë kundër? Të bëhen puthadorës dhe të vazhdojnë të përshtaten, apo të thonë, qoftë edhe gabim, atë që mendojnë? Këtu merr udhë historia me tim bir që mbeti peng i një debati me mësuesen e tij të biologjisë, të trashëgimisë së gjenit të të fortit. Kam kohë që jam shkëputur nga mësimdhënia, por mënyra e transfomimit të shoqërisë më ka bërë të besoj se, së paku, diçka do të ketë ndryshuar edhe në mënyrën e marrëdhënieve mësues-nxënës. Domethënë, kam menduar se së paku brezi që po rritet sot ka gjithë të drejtën e kësaj bote të kërkojë, qoftë dhe deri në marri, atë që percepton për të drejtë, dhe mësuesi, në pozicionin e të punësuarit, ka gjithë detyrimin e ligjit për të bindur nxënësin se ëndrrat që shikon me sy hapur janë zhgjëndrra, por ai, i famshmi mësues pra, është aty jo për të prerë krahët nëse i riu kërkon të fluturojë qoftë dhe pa pasur krahë të fuqishëm, por për t’i dhënë atij gjithë mbështetjen e duhur që, nëse kërkon të arrijë majat, së paku të mos mbetet pa kodrat. Çuditërisht, nuk e kam kuptuar asnjëherë pse ka nëj tabor mësuesish që përçmojnë, përçudnojnë ëndrrat e krisura të fëmijëve dhe ndëshkimi me kthimin me këmbë në tokë është më e pakta që mund të marrin, sepse dëshira e mësuesve të papërmbushur me ëndrrat e veta është fundosja njëqind pash nën tokë e guximit marrok të fëmijëve rebelë. Prezantimi i tim biri nga një prej trashëguesve të genit të të fortit ishte me pak fjalë që ka domethënie shumë: “Llafazan!”, “Fëmijë i përkëdhelur që flet shumë!”, që për çudi më kujtuan një shprehje të urryeshme të trashëguar të popullit tonë për të thënë që kanë marrë nuse të mirë në shtëpi: “Është nuse pa gojë!” Të pagojët janë më të dëshiruarit sepse steka e pretendimeve të tyre shkon gjithnjë më poshte se ajo e mësimdhënësit. Nëse arrin të artikulojë dëshira, apo qoftë larg, dije më të plota dhe me synime më të larta se mësimdhënësi, atëhere ajo është gojë e tepërt. Ligji i vjetër e i poshtër i diktaturës së të plotfuqishmit. Unë nuk e di nëse im bir është nxënës i mirë në biologji, siç pretendon, por unë di me siguri që im bir ka gjithë të drejtën për të pretenduar se është i tillë, ndërsa mësimdhënësja gjithë detyrimin ligjor për ta bindur, them bindur, jo urdhëruar apo persekutuar, se deri ku shkojnë dijet e tij. Kthehem në kujtesë në vitet e mia të shkollës, që, nuk do të doja t’i paralelizoja sepse mendohet që kemi të bëjmë jo vetëm me një diferencë të madhe në zhvillimin mendësor të perceptimit të marrëdhënieve mes mësuesve dhe nxënësve, por edhe për dy sisteme botëkuptimi tërësisht të ndryshëm. Por, siç duhet njeriu i ri i formuar fuqishëm për të mbijetuar, ndryshon emërtimin, por jo thelbin në kaq pak kohë historike. Mësuesit që i kanë rezistuar harresës sime janë ata që kurrë nuk ngritën zërin, që kurrë nuk më thanë se e kam gabim, por: “Edhe mund të jetë ashtu siç thua ti, por më e mira do të ishte…” ishin mësuesit që më dhanë alternativa më të mira, jo vendime të tyret, janë ata që më bindën të bëj atë që duhet sipas meje dhe nuk më urdhëruan të bëj atë që duhet sipas tyre, janë ata që më mbështetën në grimën e talentit, e jo ata që më persekutuan për thesin e marrëzive rinore, janë ata që më dhanë dorën e jo ata që më prenë krahët. Nuk është aspak rastësi që ata emra të nderuar ishin po aq të njohur dhe konkurrues në profesionin e tyre jashtë mësimdhënies. Por, sot, u jam mirënjohës shumëfish dhe të gjithë atyre të tjerëve, që edhe pse nuk u mbajta mend emrat, që edhe pse përbënin një turmë pa vizon në profesionin e tyre, më dhanë mësimin e madh të jetës që për të drejtën luftohet dhe duhet besuar deri në fund, edhe pse shpesh do të dalësh i humbur. Por triumfi i ëndërrimtarit, edhe pse i shembur me mijëra herë, është kuptimi i vërtetë i jetës. Nuk e di vërtet në jam prind i mirë, sepse dhe prindërimi mësohet me përvojë, por sot besoj se i kam dhënë tim biri atë mbështetje që gjithnjë ka kërkuar prej meje dhe i kam mësuar se edhe kur shoqëria e tërë të përthyhet para të fortit të momentit, edhe kur e dashura të mos arrijë t’i dalë në krah sepse do të zgjedhë rrugën pa luftë, edhe sikur të mbetet i vetëm në betejën për ëndrrat e tij, unë do të jem me të, me ose pa të drejtë! Nuk di t’i them nëse ka të drejtë të pretendojë notën në një lëndë biologjie, por di t’i them se ka të drejtë të kërkojë deri në fund ta bindin për atë që është apo nuk është, se ka të drejtë të thotë fjalën e vet deri në fund dhe të dëgjohet, se ka të drejtë të thotë deri në fund atë që mendon pa u ndëshkuar! Nëse të gjithë miqtë e tij heshtin, ky është problem i personalitetit të tyre dhe jo i tij, t’i tregoj se nuk është e vërtetë thënia se “Shumica ka të drejtë!” Po të kishte të drejtë shumica, toka do të ishte ende e sheshtë dhe nuk do të digjej në mes të turrës së druve Koperniku! Nuk e di nëse im bir do të realizojë një ëndërr idealiste që t’i shërbejë kudo dhe si të mundet njerëzve në nevojë, nëse do të bëhet mjek vetëm e vetëm për të gjetur një formulë për të mundur vdekjen, por di me siguri që djali im është një i ri me ëndrra të bardha dhe një njeri me karakter të fortë. Kjo është ajo që kam dashur, sepse kjo botë nuk ka mbijetuar nga shumica e përshtatur, por nga idealistët dhe ëndërrimtarët, nga ato gjene të papërshtatura që kanë sjell ndryshimin. Për këtë arsye e falënderoj mësuesen e gjeneve të përshtatshmërisë që ia mësoi tim biri sesi mund të fitosh edhe duke humbur!
Mimoza Hysa /Shkrimtare