Industria e titujve akademikë
Shpesh flitet për intelektualë, akademik, profesor, doktor, mjeshtra etj etj. Atëherë lind pyetja sa reale janë vlerat e secilit prej tyre? A janë të besueshme apo iluzive, a janë të kolauduara apo janë si një “qyrk “ që blihet në pazar dhe kur vete “mik “ të presin sipas qyrkut e të përcjellin sipas mendjes. Më kujtohet një thënie e një profesori, i cili ishte ndër të parët që mbrojti disertacionin në fushën e tij, në kohën e socializmit. E pyeti një shokë me sinqeritet: -Po kush do ta japë vlerësimin për gradën që do marrësh, ku aktualisht nuk ka as një më një gradë të tillë?! -Po, a e di ti si u bë prifti i parë – tha profesori dhe vazhdoi : E mori kamillafin dhe e vuri vet në kokë!. Dhe kështu u bënë dhe po bëhen shumë intelektualë, akademikë, profesorë, doktorë, mjeshtra, të cilët jo vetëm të bëjnë presion me titullin e tyre, por kërkojnë të drejtën e “vulë vënësit” deri edhe në trended politike të kohës. Kuptohet se nëse njeri merr një vlerë nga një që s’ka vlerë apo vlerësohet nga një grup “ekspertësh “ pa vlerë atëherë rishtari do shtojë radhët e të pavlerëve ku përshtatet thënia e Fan Nolit: “Asino asinus frikat=gomari përkëdhel gomarin” . Kësisoj edhe kuajt më të mirë ( që sigurisht ka të tillë) nuk mund të ecin më shpejt se rrugët e mundshme do mbushen me gomarë dhe gomarët është afër mendsh, drejtuesin e tyre do e zgjedhin nga të vetët. E ç’mund të bëjë kali kur i ke vendosur para një gomar?! Ka thënë z. Dritëro Agolli -madje në kohën e Diktaturës. Ndërtimi i vlerave të një shteti është shkencë, por dhe art. Një nga perandorët e Japonisë tregojnë se përdori një sistem shumë interesant për ndërtimin e vlerave të shtetit. Zgjodhi gjithë të shkëlqyerit e klasave të para dhe bëri klasa të dyta. Kësisoj veproi me të shkëlqyerit e më të shkëlqyerve deri sa ata përfunduan studimet e larta. Dhe atyre që kurorëzuan nivelin më të lartë të shkëlqimit u tha: Ju do drejtoni Japoninë. Dhe kështu ky sistem vlerash që u ndërtua me “projekt” dhe s’ju la rutinës, u bë më i sofistikuar. Amerika ka universitete elitare si Harvardin apo Anglia ka Kembrixhin e që studentët e tyre kanë monopolin e drejtimit të shtetit dhe të dhënies së vlerave reale intelektuale nëpërmjet infrastrukturës shumë të përcaktuar që kanë për këtë qëllim këto shtete. Kallajxhiu di ta vlerësojë vlerën e floririt a është vërtetë flori apo është kallp. A I kemi ne këta kallajxhi apo ik të ikim siç po ikim dhe s’dihet ku shkojmë me saktësi me këto vlera kallpe?!
Prof. Dr. Fatmir Shehu