E Shtunë, 31 Tetor 2026

In Memoriam/Shenja Rugovë - Çka [s]është?

23-01-2013 / Nga Adem Beha

Rugova ishte burrështetas atipik ballkanik. Ai u bë ndërlidhja/përbashkësia/ asocioacioni mes Alternativës Kosovare dhe Lëvizjes për Pavarësi. Si ‘urë’ mes të shenjuarës dhe shënjimit, Rugova do të ngrihet në një shenjë politike. Si e tillë, Shenja Rugovë nuk mund të reduktohet vetëm në narracionin e shkruar, repertuarin e fjalëve, por shkon përtej fjalëve, dhe mbulon objekteve, akte, imazhe dhe institucione. Rrjedhimisht, Rugova mbetet Homos signifans – prijës i shenjës. Rugova ishte homos signifans par exllenace. Dhurimi i gureve per Rugoven ishte njohje/pranim (recognition) mes civizilimeve, kulturave e kombeve të ndryshime. Pra, ishte një para-shkëmbim i ‘notave estekike’ për njohje/pranim si rrugë e gjatë për shkëmbim të notave diplomatike për njohje/pranim. Adaptimi ose ri-inventimi i shenjave të tjera si ‘Darka e Lames’ ishin në shërbim të idesë së kombëndërtimit dhe prezentimit të qenësisë partikulare shqiptare në botë. Rugova ishte lider inkluziv dhe njeri me masë. Rugova balanconte forcat politike integrative dhe çintegrative si brenda lëvizjes-parti – Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe jashtë saj dhe njëkohësisht promovonte jetën plurale demokratike për aq sa ishte e mundur nën rrethanat e një homogjenizimi masiv rreth çështjes nacionale të Kosovës. Rugova ishte refuzues ‘estetik’ i metanarracioneve. Rugova nuk ka promovuar asnjëherë meta-doktrinarizëm politik. Rrjedhimisht, nëse e lexojmë në mënyrë konsekuente veprimin teorik e politik ose më saktë ‘strategjinë e kuptimit’ të Rugovës, Rugovizimin si sekt politik meta-doktrinar është i paqenë dhe duhet refuzuar në mënyrë ‘estetike’. Gandi refuzonte termin Gandizëm, për shkak se ky eufemizem nuk nënkutonte asgjë për të. Vetë Gandi në lidhje me Gandizmin shkruante se një gjë e tillë nuk ekziston dhe se ‘E vërteta dhe jodhuna janë po aq të moçme sa malet’. E njëjta gjë vlen edhe për I. Rugovën: propagandës dhe dhunës serbe, Rugova i kundërvihet me parime transcendentale - të vërtetën dhe jodhunën.
Rugova ishte humanist. Vlera më e madhe për të nuk ishte koncepti, teoria apo ideologjia, por njeriu. Kjo ka nënkuptuar se qëllimet politike/projektet politike (qoftë Republika e Kosovës brenda Jugosllavisë, Pavarësia e Kosovës, ose Bashkimi i Kosovës me Shqipëri) duhet t’i shërbenin aspiratave politike të njerëzve në Kosovë, sepse realizimi i çfarëdo projekti politik sado maksimalist, nuk do të ishte projekt i suksesshëm nëse do të vriteshin gjysma ose më shumë se gjysma e popullatës në Kosovës. Me fjalë të tjera, shtetet krijohen nga njerëzit për njerëzit. Duke qenë i vetëdijshëm për përmasat e bizaritetit dhe brutalitetit serb në Kosovë, Rugova duhej të kujdesej për çdo jetë njeriu në Kosovë. Rreth dëmeve të neveritshme që intelektualët kishin shkaktuar në shekullin e kaluar, Popper shkruante: ‘Vrasja në masë në emër të një ideje, të një doktrine, të një teorie – kjo është vepra jonë, shpija jonë: shpikje e intelektualëve’. Rrjedhimisht, kundrejt shëmtisë së terrorit Rugova ofronte estetikën e humanizimit dhe refuzimin politik. Pra, humanizimi i Rugovës është ideografia ku njeriu është vlera më e lartë. Rugova ishte intelektual. Nëse përdoret kategorizimi i Sartrit, Rugova nuk ishte një intelektual aksidental, por intelektual esencial, që kontribuoi thelbësisht në res publica. Ai jo vetëm kishte ofruar një gjuhë të re në kritikën letrare duke përdorur semiotikën dhe kombinuar atë me epistemen lokale, por, për më shumë ai kishte instaluar një gjuhë krejtësisht unike, një fjalor jo konfrontues politik. ‘Shija’ politike e Rugovës si intelektual i angazhuar në politikë ishte kjo: ‘ekonomia’ e fjalëve të shkurtëra: vizon i madh.
Rugova ishte institucionalist. Rugova ngriti një piramidë të tërë komplekse institucionale duke provuar të qeverisë mbi Kosovën përmes këtyre institucioneve që nga shëndetësia, arsimi, e më vonë edhe deri tek përgatitjet ushtarake. Bernard Kushneri, duke e përshkuar këtë, shkruan: “Ibrahim Rugova, me forcën e bindjes, ia kishte dal të krijonte një administratë shqiptare nëntokësore, shkolla nëpër bodrume dhe klinika nëpër parkingje”. Rugova ishte inkrementalist. Inkrementalizmi është proces politik-bërës që nuk bazohet në një model idealist metafizik. Pra, është stil i vendimmarrjes ku vendimet merren hap pas hapi pa rrezikuar të arriturat e gjerëtanishme, dhe ndryshe njihet edhe si gradualizëm, meqë veprimet politike nuk mëtojnë të jenë revolucionare, por evolucionare. Politologu Charles Lindbloms analizon këtë paradigm vendimmarrëse dhe argumenton se stili inkremental ka të bëjë me zgjedhjen e problemeve në mënyrë të vazhdueshme dhe jo në mënyrë gjithëpërfshirëse. Më tej, kjo teori argumenton se vendimet merren duke i analizuara njësitë e problemit dhe duke mënjanuar gabimet e mëdha të cilat do të kishin kosto të paparashikuar. Rugova si një konservatorist liberal ishte inkrementalist qoftë në stilin e vendimmarrjes qoftë në obsionet politike. Ky stil mund të hetohet lehtë tek tre opsionet politike të shprehura tek Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Rugova. E këto ishin: ‘Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur; Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi; Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve’.
Rugova ishte neo-shqiptar. Ai nuk ishte një post-shqiptar dhe as post-modernist. Ai vendoste primatin e identitetit shqiptar mbi identitete tjera partikulariste. Rrjedhimisht, nuk promovonte as de-centrizim identitar, ‘komb kosovar’, ‘qytetari abstrakte’ etj. Nëse përdorim terminologjinë e Gani Bobit, Rugova nuk ishte një shpirt që as i kundërvihej por as që i përulej traditës. Pra, tradita ka të bëjë me atë që moti-është, kurse modernja ka të bëjë me atë që sapo-është. Së këndejmi, Rugova pajtonte traditën me modernën për shkak ai besonte se këtu nuk kishim të bëjmë me një apori. Sapo-është-këtu duhet të respektoj atë që moti-është-këtu, se vetëm në saje të asaj që moti-është-këtu, sapo-është-këtu është e mundur. Me fjalë të tjera, Rugova ishte i afërt me Bogdanit, Buzukun, Fishtën, por njëkohësisht i afërt me Pashkun, Podrimen, Hamitin etj. Rugova nuk ishte pacifist par essence. Pacifizimi është refuzim kategorik i luftës, kurse Rugova promovonte tri gjëra: së pari, vetëmbrojtjen qytetare; së dyti, vetëmbrojtjen institucionale, dhe së treti, ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë, si rezultat i pamjaftueshmërisë së dy të parave. Rugova nuk ishte profet, por iluminist racional. Karl Popper vendos shenjat e dallimit mes iluministit dhe profetit tek gjuha. ‘Iluministi flet aq thjeshtë sa është mundur. Ai do që njerëzit ta kuptojnë’, thotë Popper. Si një iluminist racional, Rugova ka folur gjithmonë thjeshtë e shkurt. Mesazhi i tij politik për vetë-përmbatje, vizioni i tij për pavarësinë si kompromis, partneriteti permanent me SHBA-në ishin mantra ditore të Rugovës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›