Kriza globale dhe efektet e saj tek të rinjtë
Pas krizës ekonomike të shfaqur në shumë prej vendeve të zhvilluara, duket se edhe këtë vit situata do të vazhdojë të ketë luhatje. Natyrisht problemet do të shfaqen sidomos në kushtet e tregut të punës dhe kjo vlen jo vetëm për vendet e Bashkimit Europian apo ato europiane në përgjithësi por edhe për vende të tjera ekonomitë e të cilave kanë pësuar një tronditje jo të vogël nga kriza. Në të vërtetë ka qenë viti i kaluar ai që mund të cilësohet më negativi sepse viti 2011 kishte shënuar sinjale optimiste rritje. Natyrisht në këto pesë vjet të krizës globale po të analizohen dhe të kryhen bilancet shifrat që do të përftoheshin do të ishin alarmante. Në fakt si pasojë e krizës është rritur papunësia dhe në veçanti kjo ka prekur sidomos të rinjtë. Sipas të dhënave, në nivel global, kanë humbur vendin e punës rreth 28 milionë persona dhe fakti më i rëndësishëm është se gjysma e tyre ndodhet në ato vende që janë cilësuar dhe vazhdojnë të cilësohen si vende me një ekonomi të zhvilluar. Në këtë mënyrë numri i përgjithshëm i të papunëve, gjithmonë në nivel global, arrin në shifrën e 197 milionë personave madje, dhe kjo shton së tepërmi problemin, 39 milionë prej tyre nuk kanë më shpresa për të gjetur një punë. Sipas të dhënave të shpërndara nëpërmjet agjensive të ndryshme, Organizata Ndërkombëtare e Punës, nëpërmjet një raporti të saj special është shprehur qartë mbi tregun e punës në nivel global. Viti 2012, duket se është viti në të cilin janë krijuar më shumë probleme si në vendet e Bashkimit Europian por edhe në nivel global. Një fakt tjetër i rëndësishëm është se nëse në vitin 2012, rreth 4 milionë persona kishin humbur vendin e punës pikërisht në vendet e cilësuar si të zhvilluara kjo ka prekur 1 milion të tillë, ndërsa pjesa tjetër, pra 3 milionë i përket vendeve të tjera. Këto shifra pasqyrojnë qartë edhe efektin domino të krizës globale. A do të vazhdojë ende kriza globale? Një gjë është e artë se përmirësim do të ketë, po ky do të jetë një përmirësim i ngadaltë. Organizata Ndërkombëtare e Punës ka qenë e qartë dhe sipas saj parashikohet se në vitin 2013 do të humbasin punën e tyre edhe 5 milionë persona të tjerë që do të rrisnin shifrën e papunësisë në 202 milionë në nivel global. Shifra të frikshme për ekonominë globale sepse parashikimet për vitin 2014 bëhen akoma dhe më të zymta ku priten të shtohen akoma dhe 3 milionë të tjerë të papunë në nivel global. Në të kundërt do të ketë ndërkaq edhe një progres pozitiv në rritjen ekonomike. Ky përkeqësim ndoshta vjen edhe nga masat shtënguese që janë aplikuar në vende të ndryshme të botës të cilat kanë përkeqësuar krizën me anë të impaktit negativ mbi konsumet private dhe investimet në firmat. “I dobësuar nga rënia e kërkesës bota e punës është përkeqësuar edhe nga programi i kursimeve në shumë prej vendeve të cilat shpeshherë kanë ulur rrogat, me një impakt direkt në tregun e punësimit” – shkruhet në raportin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Pasiguria e disa vendeve ka sjellë si rezultat një pasiguri në të ardhmen duke forcuar një tendencë të firmave për të rritur likuiditetin ose për të ndarë dividendin, por jo për të investuar dhe për të punësuar punonjës të tjerë. “Punët e reja që hapen shpesh kërkojnë disa cilësi që punëtori nuk i ka. Kjo lloj asimetrie do të ngadalësojë reagimin e tregut të punës deri në momentin që këto masa nuk do të ndihmonin punonjësit që të azhornoheshin nga ana profesionale”. Një problem tjetër i ekonomisë globale, dhe ndoshta një nga më të mprehtit, është punësimi i të rinjve. “Të rinjtë janë më të prekurit nga kriza dhe tashmë shifra e tyre arrin në afro 74 milionë të rinj në nivel global dhe ngadalësimi në nivel global i aktiviteteve ekonomike do të rrisë këtë numër me gjysëm milioni në vitin 2014”. Në fakt, për vetë Europën kjo situatë po kthehet në një situatë të rëndë sepse aktualisht 12,7% e të rinjve janë të papunë dhe më e keqja akoma pa një shpresë për të ardhmen. Nuk mungojnë analistë të ndryshëm që fillojnë të flasin gjithmonë dhe më shumë për një gjeneratë apo brez të humbur, për një”lost generation”. Natyrisht për mos të arritur deri në këtë fazë do të duhej një bashkëpunim më i fortë mes qeverive, shkollave dhe tregut së punës. Nga ana tjetër do të duhej një informim i shpejtë mbi punët që i ofrohen të rinjve në mënyrë që ata të zinin shpejt vend në tregun aktual dhe të zymtë të punës. Në të njëjtën kohë të rinjtë do të kishin nevojë që të trajtoheshin njësoj si grupmoshat e tjera, dhe duhet të kenë të gjitha të drejtat për të mbrojtur punën e tyre. Duhet të kenë të drejtën për t’u organizuar në mënyrë kolektive dhe për të garantuar një mbrojtje sociale.