Lugina në ndërgjegje të politikës shqiptare
Ndodhi ajo që druhej se do të ndodh. Serbia veproi në stilin e njohur dhe të sprovuar të viteve 90-ta. Kidnapimi shtetëror i bustit të dëshmorëve shqiptar në Preshevë dhe demonstrimi i muskujve përmes forcave të mëdha policore, nxori në dritë fytyrën e vërtetë të shtetit serb, pamje kjo që fare nuk korrespondon me dëshirat dhe pritshmërinë e perëndimit për një vend proevropian, demokratik, tolerant dhe multietnik. Po kjo Serbi, fajtore për shumë fate njerëzore të shkatërruara anembanë ish Jugosllavisë, në vend se të merret me të kaluarën e saj të errët dhe t`i dënon vrasësit që sot e kësaj dite shëtisin të lirë në Serbi, e me liberalizimin e vizave besa edhe në Evropë, godet fshehurazi një simbol të një populli, i cili luftoi për liri e barazi e jo pushtim territoresh. Në instancë të fundit Serbia me këtë dërgon një mesazh inkurajues nacionalistëve të vet se fryma e Millosheviqit është akoma gjallë. Mirëpo, e tërë pamja do të ishte njëdimensionale po të mos analizohet konteksti i ngjarjeve të fundit politike rreth bisedimeve apo thënë më qartë, negociatave mes Serbisë dhe Kosovës. Ngjarja e Preshevës erdhi vetëm disa orë pas takimit të kryeministrave Daçiq-Thaqi në Bruksel, ku lajmi për arritjen e marrëveshjes për dogana disi u përvijua si lajm i dorës së dytë për shkak të krizës rreth lapidarit në Preshevë. Ndërlikueshmëria e situatës dhe tërheqje e një paralele mes këtyre dy gjërave mund të vështrohet edhe nga deklaratat e fuqishme të disa zyrtarëve dhe individëve, posaçërisht nga Prishtina e të strumbulluara në një zë rreth nevojës së mbrojtjes së monumentit më çdo kusht. A ishte kjo rastësi, një vrull i pakontrolluar tipik i yni apo aty brenda ka diç tjetër, do ta tregon koha si dhe ecuria e mëtutjeshme e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Megjithatë, shqiptarët e Preshevës, por edhe gjithë shqiptarët në Ballkan u goditën në simbolin e tyre, kështu që veprimi i Serbisë duhet të analizohet edhe nga ky këndvështrim. Çdo gjeneratë i ka heronjtë dhe simbolet e veta me të cilat identifikohet dhe mburret dhe tallja me to është shumë kundërproduktive dhe e drejtuar pikërisht kundër vet elitave politike shqiptare, të cilat kanë qenë pjesë e simboleve të shkelura nga xhandarmeria serbe. Ngritja e dorës mbi një monument dhe emërimi i tij si lapidar i terroristëve, ka krijuar nevojën që politika shqiptare e trekëndëshit aq të potencuar në nëntor të 12-ës gjatë festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë shqiptare, tani në 13-ën të reflektojnë mbi veprimet, fjalimet dhe deklaratat e fuqishme politike. Lugina e Preshevës edhe pse është cep i largët i shqiptarisë, në të jetojnë rreth 100 mijë shqiptar, të cilët nuk kërkojnë asgjë më shumë se një jetë të lirë dhe të dinjitetshme. Këtë ua ka borxh Tirana dhe Prishtina si dhe miqtë ndërkombëtar, me të cilët këto elita politike shqiptare, siç thonë edhe ata, kanë lidhur besatimin e përjetshëm. Ngjarjet në Preshevë dëshmuan se në këtë hapësirë ka problem dhe krizë të thellë të sigurisë, e cila mund të ndikon jo vetëm në këtë zonë, por edhe më gjerë. Kjo krizë ka qenë gjithnjë e pranishme edhe pse viteve të fundit, më shumë për fajin e vet elitave politike shqiptare, ajo sikur ishte anashkaluar dhe harruar. Megjithatë, çështja e luginës së Preshevës tani sërish doli në sipërfaqe, dhe me të, para se gjithash, duhet të merret Prishtina e cila thënë troç, i ka hyrë negociatave me Beogradin për statusin e veriut të Kosovës. Ky është në shans i mirë që çështja e luginës, e cila tani e tutje është çështje ekskluzive e ndërgjegjes së politikës shqiptare, të zgjidhet në pako me atë të veriut të Kosovës edhe atë në bazë të reciprocitetit të plotë. Çdo anashkalim nga kjo qasje politike të politikës shqiptare në Ballkan nënkupton humbje përfundimtare e mundësisë që luginës t`i kthehet liria dhe paqja.