E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fenomeni "Artan Kristo" në Shqipëri

Pak kohë më parë ndaj shtetasit Artan Kristo i njohur edhe me emrin Muhamed Abdullahi referuar Kodit Penal, neni 232, A, nga Prokuroria e Rrethit Tiranë është ngritur akuza: "Për nxitje, thirrje publike, shpërndarjen e shkrimeve ose propagandë në forma të tjera, që synon mbështetjen ose kryerjen e një apo më shumë veprave për qëllime terroriste dhe për financimin e terrorizmit". Paralelisht me lajmin e bujshëm, sepse fjala terrorizëm kishte shumë vite që nuk ishte dëgjuar në Shqipëri, prokuroria dhe gjykata bëri ndalimin dhe arrestimin e tij. Pas kësaj akuze, siç ndodh rëndom në media u shkruan variante të ndryshme të ngjarjes në fjalë, madje duke përmendur edhe historinë e pyetjes së Kristos në polici lidhur me vrasjen e bujshme të sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Sali Tivari. Më tej u vazhdua me deklarimin se Abdullahi (Kristo) gjendej fajtor nga organi i akuzës së Tiranës për nxitje të xhihadit etj.

Akuza e prokurorisë dhe peticioni i hoxhallarëve
Pas arrestimit të Artan Kristos në media pati një debat të gjerë, të zhvilluar nga analistë e teologë. Shpesh u spekulua me dashje apo jo, për faktin nëse i akuzuari për terrorizëm, çonte vërtet ujin në atë hulli, apo bënte thjesht propagandë fetare. Ditët e fundit në këtë mori spekulimesh ranë edhe një numër i konsiderueshëm hoxhallarësh të nderuar nga xhami të ndryshme të vendit, të cilët njësuan konceptin e xhihadit me akuzën që iu bë Artan Kristos nga prokuroria shqiptare. Në peticionin e gjatë të klerikëve myslimanë të nderuar, vihet re se pavarësisht se ata dënojnë çdo propagandë apo aktivitet kriminal që cenon jetën, pasurinë dhe moralin e qytetarëve të këtij vendi, (qoftë kjo edhe nën petkun e fesë dhe besimit dhe abuzimin që bëhet nga persona të ndryshëm, me koncepte të tilla islame siç është xhihadi, për të justifikuar aktet terroriste që nuk kanë të bëjnë aspak me të), nuk dënuan ligjëratën konfliktndjellëse të hedhur nga Muhamed Abdullahi në You Tube. Megjithatë, firmëtarët e peticionit dolën në mbrojtje të tij mbase dhe pa e ditur mirë, apo anashkaluar qëllimisht, akuzën ndaj tij. Kjo pasi teksti i tyre ishte një shkrim i gjatë mbi koncepte teologjike islame të methebit tekfir (selefi), të cilat ata i njohin mjaft mirë, por nuk bënin një analizë mbi ato që Muhamed Abdullahi (Artan Kristo) ligjëronte. Më shumë sesa kjo, peticioni i shpërndarë nëpër mediat e shkruara dukej se e devijonte problemin. Aty i kushtohej vëmendje përcaktimit të termave "terrorizëm", "xhihad" dhe mbi rëndësinë e mosnjehsimit të këtyre koncepteve me njëri-tjetrin. Më tej ndaleshin në çështjen se xhihadi luftarak në botën islame është një problematikë që i përket një konteksti politik të largët nga ai i Shqipërisë dhe për këtë arsye e gjenin të papërshtatshëm trajtimin e temave të tilla te besimtarët myslimanë shqiptarë. Pra, imamët që kanë firmosur këtë peticion kërkojnë të shmangin retorikën e përdorur nga Muhamed Abdullahi (Artan Kristo) thua se nuk është ai i akuzuar pikërisht në sajë të kësaj retorike konflikt-nxitëse. Në videon e nxjerrë për konsum të gjerë në websiten You Tube, zbardhur edhe nga gazeta "Shqip", vihet re një lojë jo dhe aq naive. Në tekst mund të kuptohet qartë se pyetja është vërtet mbi xhihadin, porse përgjigjja kanalizohet mbi armiq konkretë apo rimarrjen me konflikt të armatosur të territoreve konkrete, si ato të një vendi anëtar i Bashkimit Europian, Spanja. Krahas konstatimit teologjik që xhihadi është një kauzë e përhershme dhe duhet të vazhdojë deri në ditën e kiametit, (deri këtu asgjë të padëgjuar më parë), vihet re se në retorikën e Muhamed Abdullahit (Artan Kristos) theksohet xhihadi luftarak. Theksojmë edhe njëherë, "luftarak". Ndërkohë që teologë të njohur të islamit shpjegojnë se xhihadi është përpjekje njerëzore për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe vendosjen e drejtësisë, ku njerëzit të shijojnë lirinë që u ka falur Zoti. Dhe kjo arrihet duke përfshirë në vetvete para së gjithash çdo aktivitet paqësor të besimtarëve që përpiqen për lartësimin e së mirës. Lufta e armatosur, sipas islamit të vërtetë, është opsioni i fundit, i padëshiruar, por që mund të ligjërohet vetëm në kushte ekstreme të vetëmbrojtjes dhe nën juridiksionin e një shteti.
Videot "islamike" në gjuhën shqip
Në videon e nxjerrë në You Tube dhe faqen e tij, "A ka xhihad në botën islame", pyetjes nëse ka xhihad në kohën tonë, vërejmë se Muhamed Abdullai (Artan Kristo) ia dedikon pjesën më të madhe të përgjigjes anës luftarake, pjesës së fundit, asaj të padëshiruar. Madje edhe përmirësimin në lëmin e besimit fetar e vë në funksion të veprave të tilla si rifitimi i krahinës së Andaluzisë në Spanjë. Lartësimi shpirtëror në kuadër të përmirësimit në ndjekjen e rrugës fetare vihet në funksion të triumfit në konfliktet e ardhshme që propozohen hapur. Më pas në të njëjtën video, Muhamed Abdullahi thotë; "frika e vetme është ndaj Allahut, s‘ke pse të frikësohesh nga raketat, bombat, nga B52 apo F21 apo F23. Nuk kemi frikë as nga b-ja as nga f-ja, por është logjika normale që nuk shkohet në luftë për t‘u vrarë, por për të vra, për të shu, për të shkatërru atë vend e për të ngrejt shtet islam...". Këtu tërheq vëmendje se identifikimin e mjeteve luftarake të kundërshtarëve të islamit, Muhamed Abdullahi e bën me ato të përdorura nga forcat e NATO-s siç janë avionët "B52", "F21", "F22". Duke mos u shkëputur nga fryma e gjithë ligjëratës duket qartë se si armiq të myslimanëve, në mes tyre dhe atyre shqiptarë, identifikohen vende vlerat e të cilave shoqëria jonë po aspiron të përvetësojë dita-ditës, vlerat e jo veset. Vlera si liria e fjalës, besimit, por dhe liria e unit pa cenuar lirinë e të tjerëve. "Në xhihad shkohet për të vrarë dhe jo për t‘u vrarë". Lindin vetvetiu pyetjet; Kush do të vritet? Përdoruesit e B52 apo tipave të tjerë të avionëve luftarakë të tipit F? Nëse e ka fjalën për këta, Muhamed Abdullahi dhe kushdo që e përkrah duhet të dijë që në këtë krah janë rreshtuar dhe kontingjentet me shqiptarë që janë atje në kuadër të NATO-s, jo për t‘u vrarë apo për të vrarë, por për të ndihmuar me sa munden vendet myslimane në të cilat janë stacionuar. Kështu si përfundim akuza e prokurorisë shqiptare, nuk është ndaj Islamit apo xhihadit si koncept, por është ndaj Muhamed Abdullahit (Artan Kristos) dhe pikëpamjeve konflikt-nxitëse që ai propagandon hapur. Imamët shqiptarë duhet të vazhdojnë traditën e shkëlqyer tipike shqiptare të bashkëjetesës paqësore ndërfetare që e jep si shembull të civilizimit të lartë e gjithë bota pa përjashtim. Vlerat kryesore të një ambienti tolerant parimisht i mbart shumica dhe shumica e besimtarëve myslimanë në vendin tonë, nuk ka pikëpamjet e "doktor" Kristos. (Themi edhe "doktor", sepse ai si shëronjës mashtrues, është shfaqur edhe në një nga emisionet investigative të "Fiks fare"). Ligjërimet publike të tij, janë pikëpamje që bien ndesh dhe kërkojnë konflikt me atë që Shqipëria synon të arrijë që prej rënies së komunizmit. Dhe dihet tashmë se çfarë kërkon vendi ynë: Të qenit pjesë e familjes europiane, bashkë me Spanjën që u dashka "çliruar"...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›