E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimet te numri 129 kanë ulur krimin në familje

"Urgjenca" policore në Tiranë duket se ka dalë nga kriza e mosbesimit. Me kalimin e viteve, numri i telefonatave denoncuese është rritur në sallën operative, megjithatë ende ka disa mangësi. Për një vit rresht, pikërisht gjatë këtij viti që jemi, pavarësisht se sipas shifrave shqiptarët "spiunojnë" pothuajse tri herë më shumë në krahasim me dy vite më parë, nuk mungojnë edhe telefonatat e rreme. Por, një fakt i mirë për policinë mbetet se rritja e numrit të telefonatave në sallën operative ka sjellë uljen e krimit në familje.
Salla operative
Burimet policore tregojnë se seksioni i sallës së drejtimit dhe koordinimit, ose siç njihet me emrin salla operative, duket se ka rritur më shumë numrin e evidentimit të ngjarjeve kriminale. Sipas të dhënave zyrtare, rritja e madhe e telefonatave në sallën operative erdhi gjatë vitit 2008. Por, edhe sivjet nuk ka munguar një rritje e tillë. Kështu, vetëm për dhjetë muaj është regjistruar një numër më i madh telefonatash në sallën operative se sa një vit më parë. Por, ky nuk është i vetmi hap pozitiv. Burimet zyrtare rrëfejnë se njerëzit janë ndërgjegjësuar më shumë për të kërkuar ndihmën e policisë. Duket se numri 129, i cili është pa pagesë, nuk ka mbetur i panjohur për të gjithë qytetarët, që edhe për incidentin më të vogël njoftojnë uniformat blu.
Krimi në familje
Një fakt interesant i evidentuar nga drejtuesit e seksionit të sallës së drejtimit dhe koordinimit është edhe ajo i telefonatave për parandalimin e krimit në familje. Sipas të dhënave zyrtare, numri i telefonuesve për këtë aspekt është rritur ndjeshëm. Njerëz të ndryshëm, pa hezitim, telefonojnë në sallën operative, e shpeshherë japin edhe identitetin e tyre, duke kërkuar ndihmën e policisë për dhunë në familje. Ata mund të jenë familjarë, të rënë pre e dhunës, por nuk mungojnë edhe fqinjët, të cilët dëgjojnë konfliktet në të njëjtin pallat apo në banesat ngjitur. Megjithatë, telefonatat në kohë dhe ndërhyrja e policisë me urgjencë, ka bërë që të ulen ndjeshëm krimet brenda familjes. Shifrat tregojnë se ka pasur një ulje të përgjithshëm të këtyre krimeve, e më së miri, veç policimit në komunitet dhe seksionit për mbrojtjen nga dhuna në familje, ka ndihmuar edhe salla operative.
Telefonatat e rreme
Në vend që edhe qytetarët e tjerë të ndjekin shembullin për parandalimin e krimeve, ende vazhdojnë telefonatat e rreme në sallën operative, duke bllokuar edhe linjat jo të shumta që ky seksion ka në çdo qark, pavarësisht fluksit që mund të kenë telefonatat. Sipas të dhënave të policisë, rrethi nga i cili vijnë më shumë telefonata të rreme është Korça. Edhe rrethet e tjera kanë shumë telefonata të rreme, ndërsa Tirana është më ndryshe, pavarësisht se ka fluks të madh telefonatash. Specialistët e sallës operative shpjegojnë se në telefonatat e rreme futen edhe ato që nuk japin asnjë informacion, por që zënë linjat duke folur përçart për probleme të përgjithshme, pa pasur nevojë ndërhyrjen e policisë. Në rastet kur telefonatat janë shqetësim serioz për punën e policisë, atëherë telefonuesit hetohen dhe dërgohen për ndjekje penale, siç janë rastet e alarmeve të rreme për bombë. Policia tregon se në çdo sallë operative ka pesë linja të numrit 129, të cilat vijnë sipas kompanive përkatëse, pavarësisht se do të duhej një numër më i madh linjash, sidomos për qytete me fluks të madh, siç është Tirana.
Rritja e telefonatave
E rëndësishme për policinë mbetet rritja e numrit të telefonatave në sallën operative. Specialistët kanë shpjeguar se këto shifra flasin jo vetëm për rritje të besimit të publikut te Policia e Shtetit, por edhe për një rritje të cilësisë së komunikimit dhe administrimit të informacionit nga ana e punonjësve të seksionit të sallës së drejtimit dhe koordinimit, si edhe rritjen e përgjegjësisë nga ana e punonjësve të policisë, në kontrollin e territorit për verifikimin në kohë të informacioneve të marra nga salla apo edhe për të informuar atë për rastet kur konstatojnë shkelje të ligjit apo kryerjen e një vepre penale. Ndërsa në bashkëpunim me seksionin e teknologjisë së informacionit, janë mirëmbajtur aparaturat teknike të transmetimit të informacionit si në sallën e drejtimit dhe koordinimit, ku u bë e mundur pajisja me kompjuter për punonjësit e sallës, për hedhjen e të dhënave dhe për kontrollin e verifikimin e kontingjentit policor në terren nga shërbimet drejtpërdrejt me sallën. Gjithashtu, këtë vit janë menaxhuar në kohë situatat e rënda kriminale, si ngjarja e Gërdecit apo e Farkës, zgjedhjet e pjesshme apo edhe mitingjet e organizuara në mbështetje të grevës së urisë së disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk ka pasur neglizhencë apo mungesë informacioni për këto ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›