E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fenomeni Ibrahimoviç, "Ari i Interit”

Zlatan është një emër boshnjak që do të thotë "ar". Dhe kështu është shndërruar ai për Interin. Zlatan Ibrahimovic është njeriu i momentit. Për suedezin flitet për fitimin e "Topit të artë', por ai gjithnjë i rrëshqet argumentit. - Personalisht nuk besoj se ka qenë thelbësore të zhbllokohesha në Europë, - tha Ibra, - pasi besoj se në këtë rast më e rëndësishme ishte fitorja e Interit. Ibra flet edhe për "Topin e artë": "Nuk më interesojnë gjëra të tilla. Mua më intereson vetëm e mira e Interit". Një vlerësim i madh vjen edhe nga trajneri i PSV Eindhoven, Ronald Koeman. "Zlatan është një lojtar i klasit superior. Goli i dytë i tij erdhi pas një intuite fantastike". Ndërkaq, në vigjilje të ndeshjes së të shtunës në "San Siro" kundër Napolit, trajneri Mancini mund të vendosë t'i japë një ditë pushim pasi dhe suedezi tashmë ka marrë letrën e thirrjes për impenjimin e dyfishtë me Lihteshtejnin dhe Irlandën e Veriut.
Përpjekja e dështuar e Vengerit
Ibrahimovici filloi të luante futboll me klubin suedez Malmoe në sezonin e vitit 1999. Kampionati suedez, Allsvenskan, fillon në pranverë dhe mbaron në vjeshtë dhe jo si në Europë që sezoni fillon në vjeshtë dhe mbaron në verëm e vitit të ardhshëm. Gjatë qëndrimit te Malmoe, trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, u përpoq ta merrte Zlatanin te "Topcinjtë", por Malmoe nuk e lejoji transferimin. Përvec Vengerit, edhe Leo Benhaker tregoi interes për Ibrahimovicin pasi e kishte parë atë gjatë fazës përgatitore në La Manga të Spanjës. Duke parë Ibrahimovicin duke shënuar gola spektakolarë gjatë një ndeshjeje stërvitore të Malmoes kundër norvegjezëve të Mos, Benhaker u bind për talentin e madh të tij. Në 22 mars të vitit 2001 u arrit edhe marrëveshja midis Ajaksit dhe Malmoes, për një shumë rekord transferimi në shumën e 7.8 milionë eurove dhe një nga më luksozet për një futbollist suedez.
Akuzat e Van der Vart te Ajaksi
Ibrahimovic luajti shumë pak nën urdhrat e trajnerit Ko Adrianse, pasi ai u shkarkua në nëntor të vitit 2001 dhe tekniku i ri i Ajaksit, Ronald Koeman, e futi menjëherë në formacionin bazë, kur "arkëtarët" fituan titullin e sezonit 2001-2002 të Eredvisie, kampionatit holandez. Sezonin e ardhshëm, Ibrahimovic shënoi kundër kampionëve të Francës, Olimpik i Lionit, dy golat e parë në Ligën e Kampioneve, nga katër në total me Ajaksin. Në vitin 2003, Zlatan u votua si lojtari më i mirë nga shikuesit e Eurosportit. Në vitin 2004, Ibrahimovic dëmtoi shokun e tij të ekipit te Ajaksi, Rafael van der Vart, gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare kundër Holandës, që sollën edhe akuzat e Van der Vartit, se Ibrahimovic e kishte goditur atë qëllimisht. Kjo solli edhe shitjen e papritur të Ibrahimovicit te Juventusi, më 31 gusht 2004.
Ibra bardhezi, "Guldbollen"-i suedez
Ibrahimovic u transferua te Juventusi për shumën e 19 milionë eurove. Ai hyri menjëherë në 11-shen e parë, kjo edhe për shkak se golashënuesi më i mirë i bardhezinjve, francezi Devid Trezege, ishte i dëmtuar, por dhe për faktin tjetër se ishte një ndër lojtarët favoritë të trajnerit Fabio Kapelo, i cili ishte përpjekur ta merrte suedezin edhe kur ishte trajner te Roma. Ibra shënoi në sezonin e parë të tij 16 gola në një kampionat të konsideruar si shumë të vështirë, sidomos për sulmuesit e huaj. Në përfundim të sezonit italian, Juventusi hodhi poshtë një ofertë prej 70 milionë eurosh të ardhur nga Reali i Madridit. Në vitin 2005, ai u votua si lojtari i sezonit nga tifozët e Juventusut dhe, po në këtë vit, ai fitoi cmimin "Guldbollen" (Këpuca e artë) në Suedi, si lojtari më i mirë i vitit. Gjatë sezonit të dytë te Juventusi, forma e tij ra shumë dhe kritikat ndaj tij ishin të ashpra.
Zlatani zikaltër, "dashuria" e Mancinit
Ibrahimovic nënshkroi një kontratë katërvjecare me Interin për shumën e 24.8 milionë eurove. Zlatan në deklarimin e parë të tij pranoi se Interi ishte klubi për të cilin ai kishte bërë tifozllëk, qysh kur ishte fëmijë, duke fituar menjëherë edhe popullaritet midis tifozëve. Në ndeshjen e parë me fanellën zikaltër kundër Fiorentinës, Ibrahimovic shënoi një gol dhe dha një asist. Interi arriti një rekord prej 17 fitoresh rresht dhe fitoi titullin e parë në fushë, qysh nga viti 1989. Ibrahimovic ishte zgjedhja e parë e Roberto Mancinit dhe performanca e lojtarit shpesh krahasohej me ato të Marko van Bastenit. Zlatani shënoi 12 gola për Interin sezonin e kaluar, ndërsa në këtë aktual ai ka shënuar 7 gola në gjashtë ndeshje, plus dy golave të parë me fanellën e Interit në Ligën e Kampioneve.

Karriera
Viti Ekipi Ndeshje Gola
2000 Malmoe 16 7
2001 Malmoe 24 9
01/02 Ajaks 18 6
02/03 Ajaks 25 13
03/04 Ajaks 30 13
04/05 Juventus 37 16
05/06 Juventus 33 7
06/07 Inter 27 15
07/08 Inter 6 7
Trofetë
Me Interin
- Kampion: 2006-2007
- Superkupa: 2006
Me Juventusin
- Kampion 2004-2005, 2005-2006 (Të dy titujt të hequr për shkak të skandalit Kalcopoli)
Me Ajaksin
- Kampion: 2001-2002, 2003-2004
- Kupë: 2001-2002

Kush është: Zlatan Ibrahimovic, futbollisti suedez me origjinë boshnjake dhe kroate, mbushi dje 26 vjec. Babai i tij, Shefiku, është nga Bosnja, ndërsa nëna e tij është nga Zadari i Kroacisë. Prindërit e tij u takuan në Suedi dhe Zlatani i vogël u rrit në Rozengard, pranë Malmoes, i njohur si rajon i komuniteteve të emigrantëve. Pasi kompletoi shkollën për të rinj, ai nuk e vazhdoi shkollën e lartë për t'iu kushtuar tërësisht futbollit. Ibrahimovic filloi të luante futboll në moshën dhjetë vjec. Fillimisht luajti për klubin lokal të quajtur FK Ballkan, ku merrnin pjesë lojtarë nga Bosnja dhe Somalia, që jetonin në rrethinat e Rosengradit. Në vitin 1995, në moshën 14-vjecare, Zlatan u bashkua me Malmoen.
Stili i lojës: Ibrahimovic është 192 cm i gjatë dhe fizikisht i fuqishëm, që është edhe një nga cilësitë e tij më të mëdha. Qysh kur ka mbërritur në Itali, ai është bërë akoma edhe më i fuqishëm. Trajneri Fabio Kapelo është i njohur për faktin se ai dëshiron lojtarë të fuqishëm fizikisht dhe tekniku e dërgoi Ibran t'i nënshtrohej një programi fitnesi. Zlatan Ibrahimovic vlerësohet si një nga dribluesit më finë në botën e futbollit të sotëm. Ai është i njohur për teknikën e shkëlqyer dhe për kontrollin e topit. Falë kësaj, ai shënon shpesh gola në formë volej që kërkojnë një teknikë të madhe dhe kontroll të lartë të topit.
Kanë thënë për Ibran...
Masimo Morati:"Zlatan Ibrahimovic mund të krijojë dicka nga asgjëja dhe mund të bëjë gjëra që për të tjerët janë të pamundura. Për mua, ai është më i miri i më të mirëve për momentin. Ai është një artist".
Marcelo Lipi:"Ibrahimovic është më i miri i kampionatit. Nëse ai do të fitojë dicka, do të pasojë Kanavaron si fituesi i "Topit të artë". Nuk është Van Basten, por aparenca fizike është e njëjtë dhe shkolla identike, Ajaksi".
Hernan Krespo:"Ai është një nga sulmuesit më të mirë që unë kam takuar këtë vit. Në opinionin tim, ai mund të bëhet një nga futbollistët më të mirë në botë. Ai ka cilësi të mëdha dhe të jashtëzakonshme".
Urimi i Interit: Klubi i Interit nuk harroi ta uronte kampionin e tij për ditëlindjen. "Shumë urime për ditëlindjen e Zlatan Ibrahimovicit, i cili sot (dje) mbush 26 vjec, pasi ka lindur më 3 tetor 1981, në Malmoe. Sulmuesit suedez i uron gjithë të mirat Interi dhe të gjithë tifozët interistë".
Ibra: "I lumtur për golat dhe tri pikët"
Edhe në ndeshjen midis Interit dhe PSV Eindhovenit, Ibra ishte një protagonist i madh. Ishin dy golat e tij që vendosën edhe ndeshjen e Ligës së Kampioneve. "Jam i kënaqur për tri pikët dhe golat", - thotë Ibra për faqen zyrtare të Interit. "Tani kemi më shumë besim te vetja jonë dhe kur të rikthehen të skualifikuarit dhe të dëmtuarit do të jemi akoma më të fortë. Goli i dytë? Topi vajti atje ku dëshiroja, por është më e rëndësishmja fitorja e skuadrës se golat e mi. Përse e mbroj Suazon? E bëj pasi dhe shokët e mi më mbrojnë gjithmonë. Kështu duhet të sillet një skuadër. Një dhuratë për ditëlindjen? Që skuadra të vazhdojë të luajë mirë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›