Duka-Bariç, kontrata në Afrikën e Jugut

Vetëm pas datës 22 nëntor do të mësojmë të vërtetën mbi të ardhmen e trajnerit aktual të përfaqësueses, kroatit 75-vjecar, Oto Baric. Tekniku dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka (të cilit statuti i jep edhe të drejtën ekskluzive të përzgjedhjes dhe emërtimit të trajnerit) do të takohen në një vend shumë larg Shqipërisë, në Afrikën e Jugut, ku dy palët do të marrin pjesë në hedhjen e shortit të Kampionatit Botëror 2010. Propozimi vjen nga zyrtari më i lartë i futbollit shqiptar dhe është pranuar nga tekniku më i vjetër në moshë, i cili është ende aktiv në botën e futbollit. Deri atëherë edhe Shqipëria ka përfunduar ndeshjet eliminatore për Euro 2008 dhe bilanci i kontratës së parë të Baricit do të jetë real.