Fenomeni i çuditshëm Ramsey

Kur Aaron Ramsey shënon, vdes një i famshëm Ky është fenomeni i çuditshëm që ndodh sa herë që futbollisti anglez shënon gol. Whitney Houston, Steve Jobs, Muammar Gaddhafi e Osama bin Laden – të gjithë këta kanë vdekur pasi Aaron Ramsey ka shënuar gol.
Një koiçidencë e pabesueshme ka ndodhur pas golave të realizuara nga ana e mesfushorit të Arsenalit. Me të shënuar gol ai, të nesërmen ose pas disa ditësh kanë ndërruar jetë njerëz të famshëm.
Rasti i fundit ishte goli i realizuar dje nga ana e mesfushorit anglez në fitoren e Arsenalit ndaj Sunderlandit, 2-1. Pas disa orësh u mor vesh se kishte ndërruar jetë këngëtarja e njohur amerikane Whitney Houston.
Më 19 tetor të vitit që shkoi, Ramsey ishte inkuadruar në lojë në pjesën e dytë në ndeshje me Olympique Marseillen në Ligën e Kampionëve. Ai shënoi pas vetëm dy minutash. Të nesërmen u vra diktatori libian Muammar Gaddhafi.
Më 2 tetor të vitit që shkoi, Ramsey shënoi ndaj Tottenhamit. Dhe, pas tri ditësh (5 tetor) ndërroi jetë krijuesi i Apple, Steve Jobs. Jo vetëm kaq. Fenomeni i çuditshëm kishte ndodhur edhe më 1 maj të vitit 2011, kur Ramsey kishte shënuar golin e vetëm në duel me Manchester Unitedin. Të nesërmen bota e mori vesh lajmin se lideri i Al-Qaedas, Osama bin Laden ishte vrarë nga forcat speciale amerikane.
Ramsey ishte transferuar në Arsenal pesë vjet më parë, kur edhe e bëri debutimin në ekipin e parë. Ai e kishte nisur karrierën në klubin londinez në KC Stadium të Hullit në prill të vitit 2007, kur e zëvendësoi Paul Parryn.
Një tifoz anglez ka shkruar në rrjetin social Twitter se ndihet i brengosur për golat e ardhshëm që do t’i shënojë futbollisti anglez. “Jam i brengosur se gjërat do të dalin nga kontrolli, kur ai të shënojë më shumë gola”. Por, shpresojmë që fenomeni Ramsey të marrë fund me kaq.