E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja i kërkon sqarime shtesë Vetëvendosjes

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tani më ka filluar ta shqyrtojë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për mocionin e dytë të Kuvendit të Kosovës, që e rrëzoi atë të parin, për reciprocitetin ekonomik, politik dhe tregtar, këtë e pohoi kryetari i kësaj gjykate, Enver Hasani.

“Lënda është në procedim e sipër, unë para dy ditësh, sipas procedurave gjyqësore, kam nënshkruar një kërkesë për sqarim, ku kemi kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të sqarojë se çka nënkupton ajo me marrëveshjen për reciprocitet, a nënkupton ajo një traktat ndërkombëtar sipas dispozitave Kushtetues, apo nënkupton një traktat, si e quajmë ne, xhentëlmen që është joformal, i nënkupton të dyja këto, apo diçka krejt tjetër. Ne kur të marrim përgjigjen nga Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojmë procesin e raportimit”, tha Hasani në emisionin Rubikon për KTV-në.

Në këtë kërkesë, sipas Hasanit Lëvizja Vetëvendosje, ka në dispozicion një afat prej dy javësh që të përgjigjet. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, tha se pas marrjes së përgjigjes nga Lëvizja Vetëvendosje Gjykata Kushtetuese do të kërkojë sqarime edhe nga Kuvendi i Kosovës, ku delegatët e partive do të kanë të drejtë të deklarohet lidhur me kërkesën e Gjykatës. për sqarim.

Kryetari, Hasani, tha se beson se kjo kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje do të shqyrtohet brenda tre muajsh edhe pse për këtë çështje Gjykata ka kohë një vit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›