E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fenomeni i ri belg i këngës Alors on danse

Stromae “Kam bërë për vete gjysmën e Europës duke kënduar për krizën dhe urinë nëpër botë”

Kohët e fundit, prodhimet cilësore të muzikës dance nuk janë më vetëm privilegj i italianëve. Vijnë nga Franca, Gjermania, Suedia e tani edhe nga Belgjika, ku djaloshi 25-vjeçar Paul van Haver është në krye të klasifikimeve të hitparejdeve europiane me këngën “Alors On Danse”. është një këngë dance-rap e interpretuar në gjuhën franceze me një stil krejt të veçantë. Stromae është i lodhur duke dëgjuar të përsëriten gjithmonë të njëjtat gjëra dhe me këtë këngë hit i ka thënë ‘mjaft!’ gjithçkaje.

“Atëherë le të kërcejmë”: kjo është ftesa e Stromae, emri i vërtetë i të cilit është Paul van Haver, këngëtar dhe muzikant belg, që po çmend të gjithë Europën me këngën e tij. Tanimë Stromae është bërë numri një në Francë, Holandë, Greqi, Gjermani, Austri, Zvicër, Danimarkë dhe Belgjikë me këngën e tij hit. Po ashtu edhe videoja e kësaj kënge është mjaft e transmetuar në shtetet e lartpërmendura dhe më e shkarkuara në internet. Kënga e tij është një hit i përbërë nga tri elemente: ritmi hipnotik, një violinë që duket si një instrument etnik dhe një këngëtar rep që numëron një sërë problemesh, nga ato të zemrës, deri tek ato financiare dhe urinë nëpër botë. E destinuar që të bëhet një nga këngët më të dëgjuara të kësaj pranvere, “Alors On Danse” sapo është transmetuar ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm. Që nga notat e para ajo të nxit dëshirën për të zbritur në pistë dhe të kërcesh pa pushim, siç thotë edhe titulli në frëngjisht. Teksti është shkruar nga vetë këngëtari, ndërsa muzika është një përzierje mes elektronikes, hip-hopit dhe dance.

“Edhe një këngë elektrodanc si kjo mund të ketë një tekst shumë domethënës. Motivet e këngëve të mia janë të dyfishta: nga njëra anë duhet diçka që të bën për të kërcyer, nga ana tjetër një domethënie. Nuk më pëlqen të shkruaj një tekst që thotë ‘të dua, më do, hajde shkojmë në plazh’”, thotë 25-vjeçari. Suksesi i Stromae ka qenë i jashtëzakonshëm, edhe për faktin se kënga është në gjuhën franceze. “Nuk është një gjuhë ndërkombëtare si anglishtja dhe është e çuditshme të shohësh mbështetjen dhe pëlqimin që ajo ka në vendet ku njerëzit nuk flasin dhe kuptojnë frëngjisht”. Por cila ishte shtysa që ai të krijonte një këngë, e cila flet për problemet? “Nga natyra jam shumë pesimist. Ndoshta kjo gjë më ka ngelur që kur isha 18 vjeç, sepse në Paris shihja shumë njerëz, të cilët shkonin në diskotekë dhe shtireshin sikur i harronin problemet me një buzëqeshje. Në fakt sytë e tyre tregonin se problemet ekzistonin akoma”, shpjegon ai.

Stromae ka lindur në Bruksel, nënën e ka belge, ndërsa babanë ruandez. “Në të gjithë jetën time e kam parë vetëm tri herë babanë, praktikisht nuk e kam njohur kurrë. Na braktisi kur unë isha ende i vogël dhe vdiq në gjenocidin ruandez. Nëna ime është një grua shumë guximtare: ka rritur e vetme katër fëmijë”, thotë këngëtari.

Po emri i artit nga e ka prejardhjen? A ka lidhje me origjinën afrikane? Ai qesh. “Jo, do të thotë mjeshtër. është një slogan francez mjaft popullor. Fjalët ndryshojnë duke i prerë në mes dhe marrin kuptim pasi u ndërrohen vendet. ‘Merci’ për shembull, bëhet ‘cimer’”. Më 22 qershor do të hidhet në treg albumi i tij i parë “Cheese”. Ja si e përshkruan ai: “Pak a shumë është si puna e fotografit në shkollë, i cili thoshte ‘qesh’ dhe pastaj e shkrepte aparatin. Dua të them se ndonjëherë bëhen edhe buzëqeshje të sforcuara”.

Stromae ka filluar t’i bjerë baterisë në moshën 12-vjeçare, më 2005-n formoi një grup repi dhe që prej vitit 2007, duke vazhduar njëkohësisht edhe studimet për kinema (aktualisht është regjisori i videoklipeve të këngëve të veta), zgjodhi karrierën si solist. Rrymat muzikore që kanë ndikuar tek ai janë tri: “E para ka qenë muzika dance europiane e viteve ’90. Jo gjithmonë mund të ndiqet kultura amerikane. Të dytët janë grupet si ‘Snap!’, këngëtarja italiane Gala, grupi teknotronik ‘Pump up the Jam’, i cili m’u ngulit në mendje kur motra ime fitoi diskun në një konkurs radioje. Pastaj vjen kënga franceze e Aznavour, Edith Piaf dhe e adhuruesit tim Jacques Brel. Në fund është hip-hopi”. Në sajtin e tij personal dhe në “YouTube”, Stromae ka hedhur copëza videoje të një shkolle muzike. “është një mënyrë e re për të bërë promovim. Nuk do të bëj kurrë video me modele profesioniste dhe gjoks të madh. Luaj muzikë në dhomën time të gjumit dhe në ato klipe shfaqem ashtu siç jam. Nuk më duket e drejtë të shtirem ai që nuk jam. Gjithmonë më ka pëlqyer thjeshtësia dhe e vlerësoj te vetja këtë cilësi që kam”, thotë i kënaqur këngëtari.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›