Zhgënjimi i Krasniqit
Luan Krasniqi
Ëndrra e Luan Krasniqit për të boksuar për titullin e kampionit të botës, sërish nuk do të realizohet. WBA ka refuzuar kërkesën e promotorit të tij, Kohl, që kampioni i aktual i këtij versioni, Ruslan Chagaev, ta mbrojë vullnetarisht titullin përballë Krasniqit. Boksieri kosovar nuk e ka fshehur zhgënjimin, ndërsa nuk ka ndonjë ide se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij
Shpresat e Luan Krasniqit për të boksuar për titullin e kampionit të botës kanë rënë në ujë. Promotori i kosovarit, Klaus Peter Kohl, pati bërë një kërkesë pranë Asociacionit Botëror të Boksit (WBA), që kampioni i aktual i WBA, Ruslan Chagaev, ta mbrojë vullnetarisht titullin përballë Luan Krasniqit, në një meç që do të mbahej më 26 prill. Mirëpo presidenti i WBA-së, Gilberto Mendoza, ka refuzuar kërkesën e Kohl, duke vendosur që Chagaev ta mbrojë titullin kundër sfiduesit zyrtar, rusit Nikolai Valuev. “Pas analizës së të gjitha fakteve, ne vendosëm të refuzojmë kërkesën e klubit Universum. Ne kërkojmë që promotorët e Chagaevit dhe Valuevit të na paraqesin brenda 30 ditësh një marrëveshje për mbajtjen e meçit”, ka bërë të ditur Mendoza përmes një letre zyrtare. Ky lajm i keq për Krasniqin e ka gjetur atë në një kamp stërvitor në Austri. Ai ka shprehur zhgënjimin e tij lidhur me refuzimin nga WBA. “Një herë refuzimi i Dimitrenkos dhe tani kjo. Unë thjesht doja të boksoja, por duket se nuk do të ndodhë”, tha Krasniqi për ueb-faqen zyrtare të tij. Sipas boksieri kosovar, se çfarë do të ndodhë me atë, do të tregojnë ditët dhe javët në vijim, pasi ai nuk e ka një zgjidhje. “Jam pak i tronditur. Tani më duhet të rri në qetësi së bashku me të afërmit e mi të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Krasniqi. Ai është tërhequr nga kandidatura për të luftuar për titullin vakant të versionit EBU kundër britanikut Matt Skelton javë më parë, dhe arsyeja ka qenë që kosovari është futur në “Top 15”-en e versionit WBA. Me të siguruar një vend në mesin e më të mirëve, klubi i tij Universum pati aplikuar që kampioni i WBA-së, Chagaev, ta mbrojë vullnetarisht titullin kundër Krasniqit. Muaj më parë edhe ukrainasi Alexander Dimitrenko ishte tërhequr nga meçi kundër boksierit junikas, i vlefshëm për titullin vakant të kampionit evropian. Arsyeja e tërheqjes së Dimitrenkos ishin paratë, pasi nuk ishte i kënaqur me faktin që Krasniqi do të përfitonte më tepër para sesa ai. Për Krasniqin gjithçka mori tatëpjetën në muajin korrik të vitit të kaluar, kur humbi me nokaut teknik njërin nga meçet më të rëndësishëm të karrierës së tij. Ai ka zhgënjyer në sfidën kundër Tony Thompson, kur fitorja do t’ia siguronte përballjen për titull kampioni të botës në versionin WBO. Në anën tjetër, edhe ueb-faqja e Valuevit ka konfirmuar se ai do të sfidojë boksierin uzbek Chagaev për titullin e kampionit të botës në versionin WBA. Ky meç do të jetë revansh për gjigantin rus, i gjatë 2.13 metra, pasi humbjen e vetme në karrierën e tij ia pati shkaktuar pikërisht Chagaev në vitin 2007.