"Boll fluturuam"
Alban Bushi
Alban Bushi i fton tifozët shqiptarë të jenë realistë dhe të kuptojnë se Kombëtarja ka nevojë edhe per 10-15 vjet pjekuri para se të kualifikohet për Botëror
Tifozët e Kombëtares Shqiptare çdo kampanjë për kualifikime e fillojnë me shpresë që ekipi i tyre i zemrës do të arrijë kualifikimin në kampionat evropian ose botëror. Se kur Kombëtarja Shqiptare do të arrijë që, për herë të parë në historinë e saj të kualifikohet në ndonjë ngjarje të madhe të futbollit, është vështirë të dihet. Por sulmuesi i ekipit kuqezi, Alban Bushi, mendon se përfaqësuesja e Shqipërisë duhet pritur edhe 10-15 vjet për t’u kualifikuar në kampionat botëror ose evropian. “Edhe 10-15 vjetët e ardhshme Kombëtarja Shqiptare nuk do të mundë të dalë e para ose e dyta në grup, duhet të jemi realistë”, deklaroi Bushi për “Express”. Sipas tij, infrastruktura në Shqipëri është e dobët dhe duhet punuar në këtë drejtim për të arritur diçka. Përveç infrastrukturës, Bushi thotë se gjithashtu, duhet punuar më shumë edhe me grupmosha të reja. Sulmuesi 34-vjeçar mendon se kuqezinjtë janë në humbje me largimin e trajnerit kroat Otto Bariç nga drejtimi i skuadrës shqiptare. “Me ikjen e Bariçit, Shqipëria është në minus. Ai skuadrën e ndërtoi nga themeli, e përforcoi me lojtarë të rinj dhe në ekip u bë konkurrencë. Nëse ndokush mungonte, atëherë kishte zëvendësim për të. Ndërsa në kohën e Briegelit, Shqipëria kishte vetëm një 11-she”, thotë ish-sulmuesi i ekipit turk Trabzonspor. Ndërsa selektorin e ri të Kombëtares Shqiptare, holandezin Arie Haan, Bushi e vlerëson si një trajner të madh. “Han është trajner i madh dhe besoj se në Kombëtare do të sjellë filozofinë e vet, sikurse trajnerët e mëparshëm”, theksoi golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Kombëtaren Shqiptare. Beson në Kalamaria Edhe pse skuadra e Apolon Kalamarias gjendet në zonën e rrezikshme për t’u larguar nga elita e futbollit grek, Alban Bushi beson se ekipi i tij deri në fund të sezonit do ta sigurojë ekzistencën. “Unë jam shumë i sigurt se skuadra e Kalamarias deri në fund të sezonit do ta sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit grek”, deklaroi ai. Që nga janari i këtij viti, pjesë e ekipit nga qyteti i Thessaloniki është edhe mesfushori kosovar Përparim Hetemaj, të cilin Bushi e vlerëson lart. “Me ardhjen e Përparim Hetemajt, skuadra është përforcuar shumë, sidomos në sulm. Hetemaj është një talent i madh dhe besoj se do ta ndihmojë skuadrën për të mbijetuar në ligë”, deklaroi Loku, siç e quajnë në Shqipëri. Pas 22 xhirove të kaluara në kampionatin grek, ekipi i Kalmarias zë pozitën e 14-të në renditjen tabelore, me 20 pikë të tubuara.