Fenomenologjia e Ed Shalsit, fenomeni mediatik i Ramës
Nëse në politikë ka një imitues natyror më të madh se deputeti socialist Eduart Shalësi ju lutemi të njoftoni biologët e gjenetistët për këtë zbulim të jashtëzakonshëm. Edhe pse ky zbulim shkencor, me shumë gjasa, do të vonojë, sepse tani për tani Ed Shalsi është imituesi, ose më mirë kloni perfekt politik, i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Së fundmi, Ed Shalsi duke ndjekur gjurmët e Ed Ramës, ka zbuluar se mund të shkruajë dhe ai letra hapura. Madje, Shalsi e ka bërë sefte me një letër të hapur drejtuar deputetit demokrat, Jemin Gjana, kryetar i komisionit parlamentar të veprimtarive prodhuese, me të cilën mbledhjen e fundit pati një diskutim që ta quash të nxehtë është pak.
Afërmendsh, si të gjitha letrat e hapura të shkruara nga opozitarë të frustruar për mungesë pushteti shahet qeveria (dhe për rrjedhojë deputetët që formojnë shumicën parlamentare), në të këtë rast Shalësi e quan komisionin e Veprimtarisë prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisit si një “aneks të qeverisë”. Sigurisht, deputeti Shalsi që është dhe nënkryetar i këtij komisioni prej tre vitesh e zbuloi pas mijërave orëve dhe qindra ditëve diskutime dhe debate politike faktin s’e komisioni na qenka një “aneksi i qeverisë”. Biokimisti i dhënë me qira politikës socialiste i njeh mirë reaksionet kimike që prodhon politika e çiftëzuar me median, prandaj dalja me një letër të hapur pas incidenteve në komision është një gjethe fiku për të fshehur paaftësinë për të debatuar ligje.
Ndërkohë, Ed Shalsi është një nga deputetët më të afërt të Ramës, njeriu me të cilin qeverisi bashkinë e Tiranës për shumë vite. Shalsi ka qenë fillimisht drejtor kabineti, e mandej zv/Kryebashkiak i Tiranës. Këtu fillon dëshira për t’i ngjasuar Ed Ramës, aq sa në konferenca për shtyp vështirë se bëhej dallimi i zërit apo gjërave që thuheshin. Shalsi fillon të ndryshojë jo vetëm zërin, gjestikulacionet apo luk-un, por dhe martohet për herë të dytë, duke i ngjasuar shefit të tij, që është martuar më shumë se një herë.
Binjaku ekzemplar i Edi Ramës, Edi Shalsi është një dukuri e pazakontë në politikën shqiptare. Ky njeri pa asnjë meritë intelektuale a sociale ka kapur majat e ashensorit social të përfaqësimit në Partisë Socialiste. Ka raste që kush e njeh nga afër habitet për mrekullinë e ngjitjes së rrufeshme pa asnjë meritë të Eduartit. “Si ai bëri ky”, pyesin shokët e bankës? Një pyetje që shton edhe më shumë misterin e ardhjes në televizorin e shtëpive tona të një individi pa identitet, pa karakter, pa shtyllë kurrizore. Edi Rama si një njeri që ka eksperimentuar gjatë e gjerë gjëra shumë serioze kësisoj ka eksperimentuar edhe klononim e vetvetes. Dhe ka dalë Edi Shalsi, një imitacion në zë dhe në figurë. Fotokopja bardh e zi e Ramës përdoret sikur të ishte origjinali kudo dhe kurdo.