E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferati zgjidhet më i miri

Aktori mitrovicas, Mirsad Ferati, fitoi çmimin kryesor “Aktori më i mirë protagonist” në Festivalin e Teatrove Ndërkombëtare “Apollon” në Fier. Në festival morën pjesë 12 teatro nga shtete të ndryshme evropiane.

Teatri mitrovicas në këtë festival është prezantuar me shfaqjen "Na, të birtë e shekullit të ri" të autorit Ridvan Dibra e në regji të Ben Apollonit, ku interpretuan aktorët Leonora Hasani, Burim Brahimi dhe Mirsad Ferati.

Juria profesionale, në përbërje prej emrash të ndritur dhe respektuar vendor dhe ndërkombëtar, si Luiza Xhuvani, Saverio Capozzi dhe Ndriçim Xhepa, kishin nominuar në secilën konkurrencë nga dy aktorë. Teatri i Mitrovicës ishte i nominuar për dy çmimet kryesore, atë të ‘Aktorit më të mirë’ si dhe ‘Aktores më të mirë’, njëri prej të cilëve iu dha aktorit Mirsad Ferati.

Pas ndarjes së këtij çmimi, Mirsad Ferati, u shpreh shumë i lumtur. “Jam jashtëzakonisht i kënaqur që kjo shfaqje e cila u punua me shumë mund dhe pasion, më në fund u shpërblye me ketë çmim”, ka thënë Ferati.

Sipas tij, të futesh në një konkurrencë kaq të fortë dhe me teatro që kanë traditë mbi 50 vjeçare ishte sfidë e madhe. “Jam i gëzuar shumë për faktin se kjo shfaqje i parapriu themelimit të teatrit profesionist dhe që ky teatër për një vit ka fituar dy çmime, në festivalin ‘Adriana’, çmimin ‘roli dytësor i femrës që e fitoi aktorja Driada Matoshi dhe tani në festivalin ndërkombëtar ‘Apollon’, çmimin ‘Aktori më i mirë’”, u shpreh Ferati.

Ndërkaq, regjisori i shfaqjes, Ben Apolloni, ka thënë se çmimi për rolin “Aktori më i mirë protagonist”, i cili i është ndarë aktorit Mirsad Ferati për interpretimin e tij në shfaqjen "Na të birtë e shekullit te ri”, nderon jo vetëm aktorin, por gjithë ekipin e shfaqjes, teatrin e Mitrovicës dhe Fakultetin e Arteve të Prishtinës. “Të marrësh një vlerësim të tillë nga një juri ndërkombëtare në një festival ndërkombëtar është nder i madh”, ka thënë, ndër të tjera, Apolloni.

Ndryshe, në festivalin ndërkombëtar të teatrove që është mbajtur në Fier nga data 26 gusht deri me 2 shtator, kanë marrë pjesë 12 teatro nga shtete të ndryshme evropiane.

Ky festival, organizohet nga Bashkia Fier dhe mbështet nga Bashkësia Evropiane IPA-Adriatik, Bashkia Fier, Ministria e Turizmit, Kulturës etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›