E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhenet i karikaturës e stripit

Shoqata e Strip-Artistëve Kosovarë - Xhennet Comics, është gati për Festivalin e 8’të Ndërkombëtar të Stripit dhe Karikaturës - Prizreni 2012. Edicioni i sivjetmë fillon këtë të shtunë, kurse organizatorët premtojnë program interesant.

Për edicionin e sivjetmë janë dërguar afro 1,300 punime të stripit dhe të karikaturës, nga 280 artistë të 43 shteteve botërore. Mirëpo, për shkak të hapësirës së kufizuar, në Galerinë Hamam do të ekspozohen vetëm 400 punime. Punimet e tjera do të shfaqen në ekran të madh, në formë sllajdesh. Gjithashtu, sivjet në Prizren do të qëndrojnë 16 artistë, të ardhur nga Franca, Italia, Bullgaria, Turqia, Maqedonia dhe Kosova.

Gjatë tri ditëve të festivalit do të organizohen edhe punëtori të ndryshme. Aktivitetet fillojnë të shtunën (më 8 shtator) nga ora 12, në qendrën American Corner (në katin e tretë të Shtëpisë së Kulturës Xhemali Berisha). Meqë aktiviteti parë iu dedikohet të fëmijëve dhe të rinjve, do të shfaqen dy filma të vizatimorë të produksionit Walt Disney - “Tarzani” dhe “Libri i Xhunglës”. Me fëmijët do të jetë mysafiri special nga Franca, Cent Alantar, i cili do të flas për mënyrën e realizimit të këtyre dy filmave vizatimorë. Programi pastaj vazhdon me punëtorinë në Galerinë Hamam, pjesë e cilës janë artistë të njohur ndërkombëtarë të stripit e karikaturës, ndërkohë që hapja solemne e edicionit të tetë të festivalit bëhet të shtunën mbrëma. Hyrja do të jetë pa pagesë.

Në kuadër të festivalit do të bëhet edhe prezantimi i stripit “Shqiponja”, i cili është përfolur shumë kohëve të fundit, në Kosovë edhe jashtë saj, Bëhet fjalë këtu për super-heroin e parë të maskuar të stripit në Kosovë, të autorit Gani Sunduri.

Veç kësaj, organizatorët për këtë natë kanë premtuar edhe një befasi tjetër, por që nuk deshën ta bëjnë të ditur në këtë fazë. Gjatë tri ditëve të festivalit do të ketë edhe punëtori të tjera, debate për stripin dhe karikaturën, si dhe një kënd për shitjen e stripave.

“Ne si organizatorë, jemi shumë krenarë për një organizimin e këtij lloji të festivalit. Pasqyra e suksesit dhe interesimi i artistëve botërorë për pjesëmarrje vërehet qartë. Vitin e kaluar mysafir patëm vizatuesin e njohur të stripit “Zagor”, Mauro Laurenti, dhe strip-artisten e stilit Manga, japonezen Kan Takahama. Edhe sivjet do të ketë artistë të njohur të kësaj fushe. Gjithashtu, mysafirë nga Kosova kemi njërin nga artistët më të mirë të karikaturës, Agim Krasniqi–Kragin, dhe Mentor Berishën. Prania e gjithë këtyre artistëve i vërteton arritjet e festivalit në Prizren”, thekson kryetari i Shoqatës të Strip Artistëve Kosovarë, Gani Sunduri.

Ndryshe, Shoqata e Strip-Artistëve Kosovarë -Xhennet Comics edhe pse ekziston jo fort moti, ka arritur që brenda kësaj kohe të shkurtër të dëshmohet me profesionalizmin e saj. Vlen të përmendet se dy anëtarët e kësaj shoqate, Agim Krasniqi dhe Gani Sunduri, nga Festivali i 5’të Ndërkombëtar i Takimeve të Karikaturistëve, i cili është mbajtur në Qipro, më 23 gusht, janë kthyer me dy çmime të arta.

Edicioni i i sivjetmë i festivalit ndërkombëtar të stripit dhe karikaturës përkrahet nga Ministria e Kulturës, Kuvendi Komunal i Prizrenit, Ambasada e Francës në Kosovë, Kompania e sigurimeve Kosova e Re, Make Pilar, Arti i Nëntë, dhe nga American Corner.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›