E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtim Idrizi: Në 8 maj votoni Ardian Kollozin për të zhvilluar qytetin e Flamurit

21-04-2011 / Gazeta 55

PDIU çel fushatën në Vlorë përmes një mitingu madhështor

Përpara më shumë se katër mijë mbështetësve në Pallatin e Sportit të qytetit të Vlorës, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çeli fushatën zgjedhore për qytetin bregdetar. Nën thirrjet e vazhdueshme “Unë e dua Shqipërinë, Unë e dua Çamërinë“, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, deputeti i PDIU-së i Qarkut Vlorë, Dashamir Tahiri, presidenti i nderit Tahir Muhedini kërkuan votën e qytetarëve të Vlorës, si qyteti ku u ngrit flamuri kombëtar dhe ku vijon të mbetet gjallë amaneti i të parëve.
Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi bëri thirrje që të gjithë të mbështesin PDIU-në si partia e çështjeve të mëdha të kombit shqiptar si çështja kombëtare dhe në veçanti çështja çame.
“Ju ftoj sot të gjithëve që të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, partinë e çështjeve të mëdha, partinë e të gjithë shqiptarëve. Ashtu sikurse është edhe Vlora e të gjithë shqiptarëve, e labëve dhe e çamëve, vendi ku u ngrit flamuri kombëtar dhe ku u krijua shteti shqiptar”- tha z. Idrizi. Deputeti Dashamir Tahiri bëri thirrje që të mbështetet PDIU dhe kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, z. Ardian Kollozi. Deputeti Tahiri deklaroi se PDIU nuk është vetëm partia e çështjeve kombëtare, por edhe partia e përfaqësimit. “Ne sot mbështesim kandidaturën e Ardian Kollozit, për kryetar të Bashkisë Vlorë. Sepse Ardian Kollozi përveçse ka qenë gjithmonë me ne në Qaf Botë është edhe i vetmi deputet që ka votuar kundër marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë në parlamentin shqiptar. PDIU nuk është vetëm partia e çështjes çame, por është edhe partia e përfaqësimit”- tha Tahiri. Presidenti i Nderit i PDIU-së, z. Tahir Muhedini kërkoi mbështetje për të çuar përpara amanetin e të parëve. “Ne kemi bërë shumë gjatë kësaj periudhe, por na duhet mbështetja juaj që të bëjmë edhe më shumë, të çojmë përpara amanetin e prindërve dhe gjyshërve tanë, të kthehemi në Çamëri”- tha në fjalën e tij, z. Muhedini. Gjatë tubimit madhështor përshëndeti edhe kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Vlorës, z. Ardian Kollozi, i cili kërkoi votën e komunitetit çam dhe gjithë vlonjatëve për të përmirësuar qytetin e flamurit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›