Ferdinand Xhaferraj: “Durrësi ka nevojë për zhvillim të planifikuar”
Kandidati i mazhorancës për bashkinë e Durrësit vazhdon takimet me qytetarët
Ankesat e banorëve: “Vangjush Dako është duke prishur sheshin e qytetit, simbolin me të cilin identifikohej”
Kandidati i Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, zhvilloi takime me banorët e zonës prapa Pallatit të Kulturës, një prej lagjeve më të vjetra të qytetit bregdetar. Ai është njohur me problemet që njerëzit kanë në jetën e tyre të përditshme, që nga infrastruktura e dëmtuar deri tek pengesa që u bën Bashkia për zhvillimin e zonës, duke mos pasur projekte dhe duke penguar ndërtimet. Sipas banorëve, krahas pengimit të zhvillimit, Bashkia është duke e shkatërruar qytetin me ndërhyrjet që është duke bërë.
“Vangjush Dako është duke ndërtuar një bunker në mes të qytetit, tha një grua teksa i kërkoi kandidatit Xhaferaj që “kjo gjë nuk duhet të lejohet”.
“Unë nuk e di, ato nuk janë dyqane, ato duken si bunkerë në mes të sheshit, Dako mund t’i bëjë edhe qebaptore ato, tha ajo. Por, ne nuk kemi nevojë për dyqane dhe beton në qendrën e qytetit, ne duam gjelbërim. Vangjush Dako është duke prishur sheshin e qytetit, simbolin me të cilin Durrësi njihej”.
Njëkohësisht, banorët kërkuan që Bashkia të shërbente si udhërrëfyese në zhvillimin e qytetit, dhe jo penguese. Zona prapa Pallatit të Kulturës, një prej lagjeve më të vjetra, por edhe më të rrënuara të Durrësit, është e bllokuar dhe nuk lejohet asnjë lloj ndërhyrje. Megjithatë, diku janë lejuar ndërtimi i pallateve mbi 10 kate, dhe kjo gjë ka irrituar banorët. “Bashkia nuk duhet të bëjë diferencime të tilla, thanë banorët, shumica të mos lejohet të vërë asnjë tullë në shtëpitë e tyre, ndërkohë që një tjetër ndërton një pallat shumëkatësh”, shprehet një tjetër banor.
Zhvillim i planifikuar i zonës
Ferdinand Xhaferraj, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për kreun e Bashkisë së Durrësit, që në këtë garë ka si kundërshtar kryebashkiakun aktual Vangjush Dako, tha se “banorët nuk duhen diskriminuar”. “Kjo lagje është në qendër të Durrësit dhe nuk duhet të jetë në këtë gjendje, tha Xhaferaj, njerëzit duhet të jenë të lirë të zhvillojnë pronën e tyre. Nuk duhet lejuar ndërtimi i një pallati, i cili më pas pengon ndërtimin e objekteve të tjera, madje fut edhe njerëzit në konflikt. E gjithë kjo zonë duhet studiuar dhe të hartohet një plan zhvillimi i gjerë, që banorët të dinë se çfarë mund të bëjnë”.
Kandidati demokrat Xhaferaj u takua me dhjetëra banorë, përfshirë edhe një numër biznesesh të vogla në këtë lagje. Ai u njoh nga afër me infrastrukturën shumë të amortizuar aty, dhe nevojën për ndërhyrje.
Homazhe për 7 prill
Kandidati demokrat për kreun e Bashkisë së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, vendosi edhe një kurorë me lule tek busti i Heroit të Popullit Mujo Ulqinaku, në kujtim të 7 prillit, ditës së pushtimit të vendit nga fashistët. I shoqëruar nga deputeti Igli Cara dhe përfaqësues të organeve të pushtetit vendor e të partive të tjera politike aleate, Xhaferaj kreu një vizitë në shtëpinë e Abdulla Uruçit. Plaku 93-vjeçar, një nga protagonistët e rezistencës së parë antifashiste, kujtoi ato ditë të vështira dhe domethënien e tyre në historinë e vendit tonë.