“Në 8 maj 2011, Edi Rama shënon humbjen e betejës politike të radhës”
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, nënkryetarja e PD-së, çeli fushatën zgjedhore të 8 Majit në Pukë
Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht nënkryetare e Partisë Demokratike, çeli fushatën zgjedhore të 8 Majit në Pukë, duke u bërë thirrje simpatizantëve dhe mbështetësve të kësaj force politike që të angazhohen në një fushatë pozitive, duke vënë në qendër qytetin dhe qytetarin si filozofia e forcës politike që qeveris vendin.
“Kjo filozofi mbështet dhe projektet vendore për Pukën, Fushë-Arrëzin dhe komunat përreth, të cilat do të marrin jetë, si të gjitha projektet kombëtare që mori përsipër dhe realizoi qeveria”, tha ajo.
Duke shtuar se fushata e Partisë Demokratike, është një fushatë pozitive.
“Ne nuk kemi retorikë, por kemi fakte, ne kemi vepra, ne kemi rrugë të shtruara. Ne nuk kemi urrejtje, por kemi heqje të vizave; ne nuk kemi shpifje, por fakte konkrete. Pas rrugës së kombit, heqjes së vizave, rritjes së rrogave, pensioneve, përmirësimi i jetës brenda qytetit, ju duhet të ndiheni krenarë si pukjanë”.
Kurse në lidhje me kundërshtarin politik, Topalli u shpreh se më 8 maj, Rama do të shënojë humbjen e betejës politike të radhës, tashmë në nivel lokal.
“Ka humbur betejën politike për bojkotin e Parlamentit, ka humbur betejën politike në përpjekjen e tij për të bllokuar Parlamentin dhe axhendën e integrimit. Ka humbur betejat për të bllokuar liberalizimin e vizave, ka humbur betejën e tij në të ashtuquajturën lëvizje çadriste. Ka humbur betejën e tij për të shtyrë datën e zgjedhjeve lokale; ka humbur betejën e tij politike për të ndryshuar rregullat e lojës, kur loja kishte filluar. Në të gjithë këto vite, zoti Rama ka humbur të gjitha betejat politike. Tani është i detyruar për të bërë një betejë lokale, që të zhvillojë një garë në nivel administrativ. Natyrisht, në betejën me Sali Berishën, e ka humbur dy vite më përpara”, përfundoi ai.