E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferdinand Xhaferri, dita e parë në ministri

Ferdinand Xhaferri ka pasur dje ditën e tij të parë të punës si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Rreth orës 13:00, zvkryeministri Ilir Meta dhe ish-ministri Adrian Turku kanë bërë prezantimin zyrtar të zotit Xhaferri me stafin e MTKRS-së. Në një takim me drejtorin e kabinetit, shefat e sektorëve dhe dy zv/ministrat e institucionit, Xhaferri ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë që ai ka ndaj fushës së kulturës, rinisë dhe sportit. Ndonëse përvoja profesionale e deri më tanishme nuk e "takon" me këtë institucion, zoti Xhaferri, i zgjedhur ministër i MTKRS-së në kabinetin e qeverisë së re, është shprehur optimist për angazhimet dhe përgjegjësitë që do të mbajë në postin e ri. Ai zëvendëson në këtë detyrë ish-ministrin Adrian Turku, i cili e gëzoi statusin e ministrit vetëm për disa muaj. Një gjë e pritshme kjo, pasi Turku ishte një emër i vendosur shumë shpejt nga Kryeministri Berisha pas shkarkimit nga detyra të ish-ministrit Ylli Pango. Aktivist i njohur në Partinë Demokratike, ish-drejtues i degës së PD-së Durrës, përfaqësues në 4 legjislatura të Parlamentit, bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin në NATO, i diplomuar në vitet 2001-2002 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Master për Siguri Kombëtare dhe Master për Siguri Ndërkombëtare, Ferdinand Xhaferri ka mbajtur së fundmi postin e sekretarit të Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike, post të cilin e gëzon ende deri në zëvendësimin e afërt të tij. Xhaferri hyn në rangun e atyre ministrave që nuk i përkasin fushës së kulturës, por që njihen si njerëz të pasionuar në këtë drejtim. Gjithsesi, deri më tani përvoja ka treguar se nuk mjafton të jesh vetëm një dashamirës i kulturës, turizmit apo sportit për të qenë i suksesshëm në një ndërmarrje të tillë. Për më tepër, Ministria e Kulturës këto vitet e fundit ka parë të emërohen e të shkarkohen një sërë ministrash, ku secili ka propaganduar pika të forta ku do të punohej, prioritete apo reforma, një pjesë e mirë e të cilave kanë shkaktuar debate në komunitetin e artistëve apo sportistëve. Në fjalën e tij të parë si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Xhaferri ka specifikuar më tepër, por sigurisht duke i qëndruar besnik programit të qeverisë, përparësitë në secilën prej fushave që mbulon ministria e tij. "Qeveria e Integrimit Europian do të ketë në përparësi të saj zhvillimin, mbrojtjen, paraqitjen dhe mbështetjen e kulturës, trashëgiminë kulturore të pasur të vendit. Institucionet tona kulturore dhe artistike do të kenë të gjitha burimet e nevojshme për krijimet e tyre. Statusi i punonjësve të institucioneve kulturore kombëtare, Teatri i Operës dhe Baletit, Teatri Kombëtar, do të njohin përmirësime të ndjeshme, do të mbështeten veprimtaritë e tyre kombëtare dhe ndërkombëtare", ishte fjala e Kryeministrit kur i ka ardhur radha kulturës që të renditet në programin e qeverisë. Kësaj ideje i mëshoi edhe më tej ministri i ri, kur foli për fonde në rritje për trashëgiminë kulturore, për mbështetje të ekspeditave etnografike, për mbrojtjen e trashëgimisë tonë materiale e shpirtërore. Po ashtu, ministri Xhaferri foli për një Shqipëri turistike si një destinacion i qëndrueshëm për përmirësime infrastrukture dhe për turizëm kulturor. Kujtojmë se turizmi ishte një nga pikat ku kapej fort ish-ministri Pango e që me sa duket do të vazhdojë të jetë në listën e prioriteteve. Ministri Xhaferri nuk anashkaloi as rininë e sportin, por këto janë vetëm në të thënë. Puna e vërtetë e tij dhe e stafit që do të drejtojë (deri tani i trashëguar nga ministrat paraardhës) do të nisë këtej e tutje. Rezultatet konkrete do të jenë njësia matëse e sukseseve apo dështimeve. ol.li.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›