"Nimfat" shqiptare, sekretet e mjeshtërve
"Mjeshtrit shqiptarë, të çezmave dhe ujësjellësve, kryenin punimet e tyre sipas llogaritjeve të holla dhe matjeve gjeometrike", shkruan në mesin e shekullit XVII udhëtari turk Elvia Çelebi. Këto fjalë të tij ishin thjesht një konstatim i asaj që shihet. Sot, kur kanë kaluar shekuj, ruajmë një pjesë të mirë të gjurmëve të krojeve, çezmave, puseve, sterave të ujit, banjave, ujësjellësve, sharrave të ujit, shatërvanëve etj. Një pjesë janë zhdukur. Prof.dr.Valter Shtylla, aktualisht drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, u ka kushtuar një studim të hollësishëm. Rezultat i kësaj pune është një vëllim monografik, titulluar "Ndërtimet e hershme hidraulike shqiptare". Do të promovohet sot paradite, ora 11:00, në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Të para jo vetëm në pikëpamje teknike, këto ndërtime janë të lidhura ngushtë e reflektojnë herë-herë edhe pozitën sociale të popullsisë shqiptare në vijim të shekujve. Por veç funksionit të tyre jetik, këto ndërtime të përhapura në të gjitha qytetet shqiptare të mesjetës janë konceptuar edhe si vepra arti arkitektonike. Shtylla, në një udhëtim për t‘i parë nga afër, në trojet shqiptare edhe përtej kufirit kombëtar, përveçse përshkrimit të hollësishëm teorik të tyre, për një pjesë të madhe sjell në faqet e kësaj monografie edhe një dokumentim fotografik. Ndërtimi i këtyre strukturave nuk i përket vetëm popullit shqiptar. "Thjeshtësia dhe sensi praktik i modelimit të këtyre veprave janë shprehëse të kulturës popullore, të pranuara njëlloj nga të gjithë, ndaj edhe nuk mund të shprehemi për influenca në këtë drejtim", shkruan ai. E megjithatë duke qenë se perandoritë romake, bizantine dhe otomane kanë dominuar në rajonin e Ballkanit nga antikiteti në mesjetë, ato kanë lënë prapa dëshmi ndërtimore. Nga antikiteti njohim "Nimfat". Tempuj të lashtësisë kushtuar perëndeshave të ujërave, të cilat më pas u ndërtuan pranë burimeve ujore, duke qenë struktura monumentale me kolona, kamare etj. Nimfeu më i hershëm te ne është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit III p.e.s., në qytetin antik të Apolonisë. Ndërsa në këtë linjë, në shekullin e parë të erës sonë janë ndërtuar nimfat e qytetit antik të Butrintit. Në vijim, strukturat që marrin këto ndërtime vijnë me specifika të tjetra. Shtylla i trajton si objekte të porositura nga prijës vendorë, veçanërisht në periudhën e pashallëqeve të mëdha shqiptare. Ai thekson se kryesisht ndërtimi i objekteve hidraulike të larmishme është realizuar nga vendas apo profesionistë shëtitës, gjithmonë shqiptarë, të cilët vinin kryesisht nga zona si Lunxhëria, Kolonja apo Dibra, dhe që kanë bërë emër edhe jashtë trojeve shqiptare. "Kjo monografi, një punim përgjithësues, vjen të plotësojë një zbrazëtirë të derisotshme mbi një gjini ndërtimore sa të hershme, aq dhe me arritje të prekshme në kohën moderne. Gjatë periudhës romake, e cila përkon me një hapësirë të lehtësuar të tre kontinenteve, u krijuan kushte dhe rrethana të përshtatshme, do të thoshim të një lloj globalizimi gjithëpërfshirës, i cili u shfaq krahas krijimit të një rrjeti të gjerë rrugor, dhe të një veprimtarie me prirje të natyrshme njësuese në veprat hidrike të llojeve dhe shërbimeve të ndryshme. Trojet shqiptare, pragu dhe ura e lidhjes perëndimore me atë lindore, u përfshinë në këtë veprimtari me ndërtimin e shumë veprave. Këto ndërtime janë një realitet i prekshëm sipas gjurmëve të shumta anekënd Shqipërisë", shprehet specialisti i monumenteve, Emin Riza. Nën një argument shkencor, kjo monografi sjell një trajtim të plotë të tyre në kontekstin historik e shoqëror të popullit tonë.