Fergi: Çelsi i obsesionuar pas Champions
Mançesteri dhe Çelsi do të ndeshen në përballjen e dytë mes tyre, të vlefshme për një biletë në gjysmëfinalet e Champions, sonte mbrëma. “Djajtë” e Fergusonit janë në avantazh 1-0 pas fitores së 6 ditëve më parë në “Stamford Bridge” dhe sot nuk duhet të bëjnë gjë tjetër veçse të ruajnë avantazhin. Megjithatë, Fergi u thotë të tijve që të ruhen nga një ekip i uritur, pasi Çelsi nuk ka fituar asgjë në Europë dhe do të kërkojë me doemos të kualifikohet sot. “Duket se është një fiksim për ta që të fitojnë një Kupë Europiane dhe kjo është arsyeja që ata kanë firmosur me Fernando Torres. Pronari i tyre ka hedhur shumë para për atë fanellë dhe kjo gjë duhet respektuar. Por, në fund të fundit, ky është një kompeticion shumë i vështirë për t’u fituar, pasi skuadrat më të mira janë këtu. Të jesh i fiksuar për të fituar një Kupë Europiane, të krijon një farë shtrëngimi.” Ferguson e pranon se është ndjerë në të njëjtën mënyrë kur Junajtid arriti të kalojë gjysmëfinalet përpara se të fitonte tre tituj: Champions, Premier dhe FA Cup në vitin 1999. “Kur ne ia dolëm në Barcelona, ishte ndjesia më e mrekullueshme për mua. Por kjo nuk do ta bëjë Çelsin më të dëshpëruar për të fituar sesa Mançesteri nesër (sonte) mbrëma, më besoni”. Ndërkohë, Bosi i Mançester United, Sër Aleks Ferguson, ka thënë se Ueji Runi do ta nxjerrë në pah zemërimin e tij ndaj Çelsit, pas vendimit të FA për ta pezulluar me dy ndeshje. “Absolutisht nuk dyshoj se ky vendim do ta ndezë Runin. Ne tani kemi marrë motivim edhe më të madh. Është bonus për ne që e dimë se ai do të jetë i gatshëm për ndaj Çelsit. Më lejoni t’ju them një gjë - pezullimi i Runit është aq befasues, sa që bashkëshortja ime është ende e shokuar”, theksoi Fergi.
Benajun: Po eliminuam Mançesterin, fitojmë Champions
Mesfushori i Çelsit, Jozi Benajun, beson se fitorja ndaj Mançester Junajtid në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve do të ishte një hap i madh në synimin për të sjellë trofeun Europian në ‘Stamford Bridge’. Ekipi i Karlo Ançelotitu mund me rezultat 1-0 në ndeshjen e parë në shtëpi, por ata të martën mund të kualifikohen më tej nëse fitojnë me një rezultat më të mirë se ky. “Çdokush e di - menaxheri, lojtarët - se ne luajmë për të shpëtuar sezonin. Është e qartë se do të përfundojmë në top katërsh dhe sezonin e ardhshëm të luajmë në Ligën e Kampionëve. Kjo po thuajse është e realizuar. Gjëja e mbetur është të fitojmë një trofe dhe i vetmi të cilin mund ta fitojmë është Liga e Kampionëve. Nëse e fitojmë këtë ndeshje, kjo do të ndryshojë gjithçka. Jam i sigurt se nëse mposhtim Junajtid do të shkojmë deri në fund dhe do ta fitojmë trofeun”, ka thënë Benajun.
Champions League
Sot
Mançester – Çelsi 20:45 (1-0)
Shakhtar – Barcelona 20:45 (1-5)
Nesër
Shalke – Inter 20:45 (5-2)
Totenhem – Real Madrid 20:45 (0-4)
Çmenduri ukrainase
Adriano: Fitojmë 4-0 dhe eliminojmë Barçën!
Sulmuesi i Shakhtar Donjek, Luiz Adriano, synon të shënojë një fitore bindëse ndaj Barcelonës dhe ende shpreson të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Shakhtar u mposht me rezultat 5-1 në ndeshjen e parë çerekfinale në ‘Camp Nou’, por Adriano nuk dorëzohet dhe ende ka shpresa për kualifikim të mëtejshëm. “Ne nuk duam vetëm të mposhtim Barcelonën në ndeshjen e dytë, por ne duam të arrijmë në raundin e ardhshëm. Kjo është e gjitha. Cili është qëllimi i lojës sonë nëse ne heqim dorë nga gjysmëfinalet?”, ka thënë Adriano për Sport. “Barcelona na mposhti me rezultat 5-1 në shtëpi, andaj pse ne nuk jemi në gjendje t’i mposhtim ata me rezultat 4-0? Ne fituam 3-0 ndaj Romës dhe kemi nevojë vetëm për një gol më shumë. Ka ende 90 minuta për t’u luajtur dhe ekipi ende është i bindur se ne mund të vazhdojmë më tej”, ka shtuar sulmuesi.