Ferguson: Barcelona-Mançester mund të jetë finale legjendare
Sër Aleks Ferguson mendon që, kualiteti i lojtarëve që do të zbresin në fushë për finalen e Champions League, premton se do të kemi një ndeshje të madhe mes Barcelonës dhe Mançester Junajtid. Pasi ka cituar disa nga finalet e fundit me futboll të mërzitshëm, trajneri i "Red Devils"-ave thekson se këtë herë skenari do të jetë krejt ndryshe, ku vendin kryesor do ta zërë spektakli. "Profili i finales është shumë i mirë dhe unë shpresoj ta kompletojmë akoma edhe më shumë atë, është shprehur Ferguson për ‘Associated Press‘. Ju i shikoni lojtarët që kanë në ekipe Barcelona dhe Mançester Junajtid dhe ky fakt na siguron për një finale të madhe". "Finalet evropiane mund të jenë zhgënjyese, nëse shikojmë rezultatet ndër vite, nënvizoi ai. Ka pasur disa rezultate zhgënjyese, 1-0, 0-0, gjuajtje 11-metërshash. Kam parandjenjën se, të mërkurën e ardhshme nuk do të ketë rezultate kaq të ngushta, por gjithsesi historia ka treguar se janë të pakta finalet me shumë gola". "Çdo klub ka stilin e saj të lojës. Barcelona ka mënyrën e saj të të luajturit futboll, ndërsa ne kemi tonën. Ne shpresojmë të japim më të mirën tonë në fushë për të arritur objektivin të mërkurën, shton Ferguson. Gjëja më rëndësishme për të fituar trofeun është të luash futbollin tënd në mënyrën më të mirë. Dhe mendoj se ne i kemi lojtarët për ta bërë një gjë të tillë". Në dyshim për superndeshjen e vitit është mbrojtësi Rio Ferdinand, por Ferguson beson se, lojtari i tij do të jetë i gatshëm në kohën e duhur për të luajtur në finalen e Romës.