E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni bën surprizën: Mund ta shes vërtet Kakanë

Silvio Berluskoni lajmëron shitjen e mundshme të Rikardo Kakasë. Këtë herë nuk ka asnjë përgënjeshtrim, madje konfirmimi ka ardhur nga vetë presidenti. "Ka shumë mundësi ta shes Kakanë", ka thënë Kryeministri italian, ndërsa pritet një revoltë e re e tifozëve. Lajmi, i bërë i njohur nga "Tuttomercatoweb", është ende për t‘u verifikuar, por diçka të vërtetë duhet të ketë, pasi nga rruga "Turati" nuk ka ardhur përgënjeshtrim. Në janar tratativat me Mançester Sitin u mbyllën pa sukses, por sot situata është krejt e ndryshme. "Këtë herë mendoj se mund ta shes vërtet". Kështu është shprehur Berluskoni, i cili ka deklaruar se do të lërë ish-"Topin e Artë" të ikë drejt Madridit. Miqësia e madhe mes Adriano Galianit dhe Florentino Perezit duket se ka dhënë frytet e shumëpritura nga "Blancos". Ky lajm pritet të ketë një efekt të madh në shtëpinë e Milanit. Tifozët kishin zbritur në shesh në janarin e ftohtë për ta mbajtur atë dhe tani do të duan të protestojnë për këtë çështje të re që po shpërthen. Vendimi i Berluskonit ka një objektiv të vetëm: të fitojë para nga shitja multi-milionere e Kakasë për t‘i riinvestuar në merkato. Drejtuesit kuqezinj e kanë kuptuar, se është e kotë të mbash për shumë kohë dhe mënyra e vetme për ta rindërtuar skuadrën është të sakrifikojnë lojtarin më të kërkuar. Rikardijno ka shprehur shumë herë dëshirën për të qëndruar te Milani dhe për t‘u bërë kapiten, por klubi nuk duket se ka ndërmend t‘ia dhurojë këtë ëndërr atij dhe tifozëve. Tashmë është konfirmuar se, bëhet fjalë për një betejë mes zemrës dhe parave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›