Ferguson: Me çelsin, një sfidë vendimtare
LONDER- Dëmtimi i Uejn Runit duket shqetësimi më i madh për Mançester Junajtid, në prag të super përballjes me çelsin ditën e shtunë. Sfida e Old Traford do të vendosë shumë përsa i përket titullit kampion, por ekipi i Ferguson do të jetë pa lojtarin kryesor, që u dëmtua në ndeshjen e Mynihut kundër Bajernit. “Runi nuk ka dëmtime të mëdha në ligamente dhe ky ishte lajmi i mirë për ne. Tani i gjithë vendi mund të pushojë së luturi”, deklaroi trajneri Aleks Ferguson. Ai shtoi gjithashtu se pas ndeshjes me Bajernin ekzistonte një frikë e madhe se mos dëmtimi ishte i rëndë, por sulmuesi anglez do të qëndrojë jashtë fushave vetëm për 3 javë. Për ndeshjen me çelsin, Ferguson tha se do t’i besojë sulmuesit bullgar Dimitar Berbatov. Mançesteri është vetëm 1 pikë larg skuadrës së Ançelotit, kështu që përballja e të shtunës do të jetë vendimtare për çështjen e titullit. “Nëse një skuadër fiton nesër, bën një hap domethënës drejt titullit. Ndërsa një barazim nuk ndryshon asgjë, por mendoj se deri në javën e fundit do të jetë shumë e paparashikueshme”, deklaroi Ferguson. Skocezi vlerësoi edhe kolegun e tij te çelsi Karlo Ançeloti, duke deklaruar se ai po bën një punë të shkëlqyer, pavarësisht eliminimit nga Champions League nga Interi.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)