E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana i rikthehet fitores, mposht Apoloninë 2-1

TIRANE- Tirana është rikthyer te fitorja në javën e 26-të të Superligës, duke mposhtur 2-1 Apoloninë në Fier. Pas shumë rezultatesh negative, skuadra bardheblu është rikthyer në vend të tretë, por në kuotë të barabartë pikësh me Laçin dhe Shkumbinin. Plaku dhe Muzaka shënuan për Tiranën, ndërsa për Apoloninë shkurtoi diferencën serbi Bërkiç me penallti në minutat e fundit. Ndërkohë, një tjetër fitore për Vllazninë, që në “Loro Boriçi” mposhti lehtësisht 2-0 Besën e Kavajës. Kraja e Shtubina realizuan për shkodranët, që janë ngjitur në kuotën e 36 pikëve, 4 më pak se Besa e vendit të dytë. Këtë javë nuk është ndalur as Shkumbini, që në fushën e vet mposhti 2-1 Gramozin e Ersekës. Në këtë ndeshje u shënua edhe një moment dramatik, teksa një nga lojtarët e skuadrës kolonjare, Bajollari, u dërgua me urgjencë në sallën e operacionit në Elbasan pas përplasjes me një kundërshtar gjatë ndeshjes. Ndërkohë, Skënderbeu mori fitoren e 6-të radhazi, duke mposhtur 2-1 në Krujë Kastriotin. Ky rezultat solli edhe dorëheqjen e trajnerit të ekipit krutan Ramazan Ndreu. Një tjetër fitore edhe për Flamurtarin, që në Vlorë mposhti 2-1 Dinamon e vendit të parë, falë golave të Lenës dhe Memellit. Për blutë, shkurtoi diferencën argjentinasi Souza. Ndeshja tjetër e javës së 26-të, ajo mes Teutës dhe Laçit, përfundoi në barazim pa gola.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›