Ferguson sfidon Barcelonën

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson ka këshilluar futbollistët e tij të mësojnë nga humbja e tyre në finale të Ligës së Kampionëve nga Barcelona dhe të rrëzojnë gjigantin katalan nga froni kontinental.
Ferguson u tha medieve britanike të martën se gjenerata e re e futbollistëve të Manchester Unitedit do të realizojë objektivin e rrëzimit të Barcelonës derisa theksoi se triumfi në Premierligë është po aq i rëndësishëm.
Në maj, Ferguson pësoi njërën prej netëve më të vështira në 25 vitet e tij të deritashme, në Old Trafford, kur Barcelona dominoi ekipin e tij 3-1 në Wembley dhe siguroi titullin e tyre të tretë të Ligës së Kampionëve nga viti 2006.
Mirëpo, menaxheri i Manchester Unitedit beson se infuzioni i rinisë në Old Trafford që përfshin transferimet e reja, Ashley Young, David de Gea dhe Phil Jones, do t’i ndihmojnë ekipit të ngrihet nga humbja e tyre në Wembley.
“Kam futbollistë të rinj që po vijnë dhe shpresoj se do të inspirohen nga ajo që kemi përjetuar në Ligën e Kampionëve dhe do të sfidojnë Barcelonën”, tha Ferguson.
“Ata janë ekip jashtëzakonisht i mirë. Por, kjo nuk do të thotë se kurrë nuk mund të arrihen. Barcelona është ekip i kohës së saj dhe ky është një cikël i shkëlqyeshëm për ta. Ne do të mundohemi të shkojmë përpara dhe të dalim mbi ta, por objektivi është të jemi në Munich (për finalen e Ligës së Kampionëve) në maj të vitit të ardhshëm. Vetëm atëherë, nëse është Barcelona, ne do të analizojmë si do të përballemi me ta”, shtoi ai.
Ferguson mohoi sugjerimet se përpjekja për të dalë mbi Barcelonën do të bëhet një obsesion duke insistuar se ekipi i tij do të trajtojë me rëndësi të barabartë edhe triumfin në Premierligë.
“Ju duhet t’i kombinoni të dyja. Premierliga është ballafaqim i vështirë me rajone të ndryshme të shtetit dhe ju detyroheni të mundoheni t’i mposhtni ato. Nuk është e lehtë. Nuk është si në atletikë, ku mund të programoni veten të fitoni garën në Oslo dhe ndoshta pritni deri në Stuttgart pesë muaj më vonë të fitoni edhe atje. Ne luajmë çdo shtatë ditë, andaj duhet të luftoni edhe për ligë”, theksoi Ferguson
“Nuk kam dyshim se Real Madridi do të japë gjithçka për të fituar Ligën e Kampionëve. Mendoj se edhe Milani e bëri këtë. Ata u përqendruan të barazojnë Realin me nëntë tituj në Evropë. Ju mund ta bëni këtë në këto shtete, sepse Liga e Kampionëve është gara më e rëndësishme, por mentaliteti ynë është ndryshe. Mundohem të dëshmoj se luftojmë për ligë gjithmonë dhe shpresoj të kemi edhe bonus me triumf në Evropë. Kemi fituar vetëm dy herë gjatë kohës sime, andaj kjo tregon se nuk është lehtë t’i fitoni të dyja”, shtoi ai.
Ferguson po ashtu beson se triumfi i Manchester Cityt në FA Cup sezonin e kaluar, suksesi i tyre i parë pas 36 viteve, do t’u japë atyre përkrahje dhe besim për të luftuar në edicionin e ardhshëm të Premierligës.
“Mendoj se fitimi i një trofeu e bën atë. Jep fuqi të mirë. Liron presionin nga menaxheri dhe sjell besim te futbollistët. E kemi përjetuar vetë në vitet e fundit dhe presim që ata të luftojnë për titull në sezonin e ri”, përfundoi Ferguson.