Tre gola në katër gara

Me disa prej rezultateve më befasuese në histori të Copa Americës, favoritët e garës pësuan eliminime të hershme. Brazili, Kili dhe Kolumbia u kthyen në shtëpi, por dështimi i Argjentinës për të fituar përballë Uruguait me 10 futbollistë mund të jetë rezultati që do të definojë garën e edicionit 2011.
Nikoqiri Argjentina me të pakrahasueshmin Lionel Messi në radhët e saj pritej të fitojë titullin e parë nga viti 1993 dhe të zbuste urinë e shtetit për sukses. Prej përfundimit të karrierës së legjendës Diego Maradona, Argjentina nuk ka shijuar sukses. Në Argjentinë, Copa 2011 u konsiderua si koha e Messit për shkëlqim me ekipin kombëtar.
Por, ngjashëm me tri garat e kaluara ndërkombëtare në të cilat mori pjesë, edhe kjo përfundoi në dëshpërim. Messi thjesht nuk shënon gola për Argjentinën sikur që bën për Barcelonën.
Siç tregojnë edhe statistikat, në edicionin e kaluar ai realizoi gati saktësisht nga një gol për ndeshje, derisa gjiganti katalan fitoi titullin në La Liga dhe Ligën e Kampionëve. 53 gola në të gjitha garat u realizuan pas 47 në 53 paraqitje në edicionin 2009-10 dhe 38 në 51 ndeshje të sezonit 2008-09.
Prej kur Pep Guardiola erdhi në bankinën e Barcelonës, Messi ka qenë i pandalshëm para portave kundërshtare. E njëjta nuk mund të thuhet për paraqitjet e tij me Argjentinën, pavarësisht ndërrimeve në stafin teknik.
Nga Kampionati botëror 2006 në Gjermani, ku ai ishte aktivizuar kohë pas kohe nga Jose Pekerman, deri te dështimi më i ri i Argjentinës, mesatarja e Messit në gara ndërkombëtare kalon mbi 500 minuta. Goli i tij i fundit gjatë ndeshjes së rregullt ishte kundër Meksikës, në gjysmëfinale të Copa Americës 2007.
Kanë kaluar dy gara të rëndësishme ku sulmuesi nuk mungoi në pothuajse asnjë minutë të lojës, por nuk realizoi asnjë gol. Në krahasim me bilancin e sulmuesve të tjerë nga Amerika e Jugut, brenda periudhës së njëjtë, rekordi i Messit është sërish dëshpërues. Diego Forlan dhe Robinho kanë shënuar nga tetë gola, ndërsa Messi vetëm tre.
Tifozët vendas ishin kritikë ndaj Messit pas barazimit 0-0 me Kolumbinë në fazën e grupeve të Copa Americës së këtij viti, por përkrahësit e tij përkujtuan se ai me lojën e tij shkatërroi mbrojtjen e Kosta Rikës (3-1) dhe asistoi te goli i Gonzalo Higuainit para eliminimit me penallti nga Uruguai.
Pavarësisht të gjithave, statistikat janë të qarta, Messi do të ndihet i dëshpëruar nga eliminimi i hershëm nga gara dhe derisa e gjithë barra e dështimit nuk mund të bjerë vetëm mbi të, krahasimet me Diego Maradonën vazhdojnë të mbeten mbi të. Pamjet e Maradonës duke ngritur trofeun e Kampionatit botëror 1986 mbeten një shkallë ende e paarritur nga Messi dhe një inspirim për të.
Statistikat:
Barcelona – 31 gola në La Liga, 12 në Ligën e Kampionëve, 10 në Copa del Rey = 53 (vetëm në sezonin e fundit)
Argjentina - 2 gola në Copa America, 1 në Kampionat botëror = 3 (në katër gara).