E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feri: Ja argumentet ligjore

I vënë në dijeni për këtë prononcim të regjisori Qosja, kryetari i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Xhevdet Feri, paraqiti qëndrimin e tij zyrtar, që nuk është gjë tjetër, veç parashtrimi i argumenteve ligjore bazuar në ligjin "Për Kinematografinë", që ai i ka bërë Këshillit Miratues të Projekteve dhe vendimit të kësaj KMP-je për disa "Projekte në zhvillim".


Në bazë të këtij vendimi miratohej financimi i projekteve të paraqitura në konkurrim: "Tjetri", me skenar dhe regji të Leka Bungos, "Mogadisho 23", me skenar dhe regji të Saimir Kumbaros, "Një hap nga parajsa", skenari Pëllumb Kulla, regjia Vladimir Prifti; kurse projekti "Vrasësi i qenve", me skenar dhe regji të Isa Qosjes, me producent shtëpinë kinematografike "B2&Isstra" sh.p.k. "të trajtohet si rast i veçantë." Këto projekte duhet të paraqiteshin të zhvilluara jo më vonë se data 1 korrik.


Por kjo do të ndodhte nëse kryetari Feri nuk do të kishte kundërshtuar qysh të nesërmen vendimin e bordit, të drejtë që ia njeh statuti. Në një raport disafaqësh, Feri jep arsyet motivuese të urdhrit për rikthimin e vendimit të Këshillit Miratues të Projekteve.


Për projekte të cilësuara "rasti i veçantë", Feri i ka kujtuar këshillit se, që një projekt të shpallet fitues, duhet të plotësojë dy kushte: 1. minimalisht dy nga autorët e veprës filmike, duhet të jenë me qytetari shqiptare; 2. pjesa më e madhe e xhirimeve filmike duhet të kryhet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për dy nga projektet e mësipërme është konstatuar kjo mospërputhje e standardeve.


"Gjykojmë se ky fakt mund të shndërrohet në një precedent të dëmshëm për barazinë e subjekteve në konkurrim nga njëra anë, dhe nga ana tjetër mund të dëmtojë reputacionin dhe besueshmërinë e vendimeve të KMP-së dhe QKK-së", - shpjegon Feri.


Një argument tjetër që ai i ka dhënë këshillit është edhe një tërheqje vëmendjeje për këtë këshill, i cili miraton më shumë projekte nga ç'e lejon buxheti i Qendrës Kombëtare Kinematografike. Kështu, Feri ndalet: "Vetëm numri i projekteve për zhvillim në filmin artistik me metrazh të gjatë, në mandatin e këtij KMP-je, ka shkuar në 10.


Duke mos paragjykuar dhe komentuar as gjykimet e KMP-së mbi cilësinë e projekteve të shpallura fitues dhe as mundësitë reale të zhvillimit të këtyre projekteve, QKK-ja bën me dije se duke përdorur standardet e deritanishme të financimit të një vepre në shumat 300-400 mijë euro, teorikisht do të duheshin mbi 3 milionë euro për të përballuar tërë këto vendime." Mosmarrja parasysh e këtyre llogarive ka qenë një tipar mediokër i KMP-së të mësipërm, të cilit tashmë i ka mbaruar mandati 2-vjeçar dhe pritet që shumë shpejt vendin t'ia zërë një bord i ri.


Qosja nuk ishte i vetmi regjisor nga Kosova që ka paraqitur projekt në këtë kategori të metrazhit të gjatë që QKK-ja e mbështet në një fazë parapërgatitore deri sa projekti të hyjë në rrugën e prodhimit. Edhe Agim Sopi, regjisori i "Anatema"-s kishte paraqitur këtë vit projektin "Fytyra e botës që qante" (sipas romanit "Lëkura e qenit" e Fatos Kongolit, i përshtatur për skenar nga vetë Sopi.


Por bordi në fjalë, pas vërejtjeve dhe urdhrit të kryetarit të qendrës, vërtet vendosi që të mos financojë katër projektet për zhvillim, por rrugën e ka lënë të hapur: "Producentët e këtyre projekteve kanë të drejtën të paraqesin projektet (konform standardeve të përcaktuara në Statutin dhe Rregulloren e QKK-së) për shqyrtim në kategorinë "Financim film artistik me metrazh të gjatë", në sesionin e ardhshëm."
Megjithatë, për "Vrasësin e qenve" problemi i shtetësisë së autorëve dhe i xhirimit të historisë në territorin e Shqipërisë mbetet.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›