E Shtunë, 31 Tetor 2026

Treni i linjës Tiranë - Durrës, aksidenton rëndë 16- vjeçarin

TIRANË- Treni i linjës Tiranë - Durrës aksidenton rëndë një 16- vjeçar, pranë vendit të quajtur "Treshi", në kryeqytet. Genc Skrashi, me banim në Paskuqan, është përplasur nga treni, dje kur ky i fundit ka qenë duke lëvizur me biçikletë mbi shinat e trenit.


Sipas të dhënave të dëshmitarëve nga vendi i aksidentit mësohet se adoleshenti ka qenë duke ecur me biçikletë, ndërkohë nuk ka parë ardhjen e trenit, e për pasojë është përplasur duke u plagosur në gjendje të rëndë.


Skrashi menjëherë pas përplasjes është dërguar nga personat që kanë qenë në vendin e ngjarjen në Spitalin Ushtarak në gjendje kritike për jetën dhe gjendja e tij deri në orët e vona të ditës së djeshme ka qenë e rëndë. Pas njoftimit që ka marrë, policia ka mbërritur në vendngjarje për të hetuar shkaqet e aksidentit me pasojë një të plagosur rëndë.


Ndërkohë uniformat blu, pasi kanë arritur të identifikojnë trenin që përplasi adoleshentin kanë marrë pyetje makinistin, i cili është pyetur për mënyrën se si ka ndodhur përplasja.


Edhe dëshmitarët që kanë qenë të shumtë janë pyetur nga policia duke dhënë versionin e tyre në lidhje me ngjarjen. Banorët e zonës që përshkon linja hekurudhore Tiranë - Durrës, e shikojnë me shqetësim të madh ndërtimin e banesave fare pranë shinave të trenit, ku sipas tyre kjo përbën dhe një kërcënim për jetën e banorëve.


Por përveç kësaj, edhe shpejtësia e madhe me të cilën lëvizin trenat sidomos në stinën e verës është një shqetësim i madh për banorët, sidomos në zonat që janë shumë të populluara. Në zonën në të cilën u aksidentua dje 16- vjeçari nga Paskuqani, kanë ndodhur dhe aksidente të tjera gjatë muajve të fundit, edhe me pasojë vdekjen.


Ndërkohë duhet theksuar se shqetësimi i madh për qytetarët mbeten aksidentet rrugorë që vetëm në muajin korrik të këtij viti shkaktuan 48 të vdekur dhe 46 të plagosur në gjendje të rëndë, në një numër në total me mbi 148 aksidente në të gjithë Shqipërinë.


Kapet i riu me 40 gram hashash

KAVAJË- Policia e Kavajës arreston në flagrancë një përdorues droge, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij i është gjetur sasia prej 40 gr lëndë e dyshuara narkotike e llojit kanabis sativa. Sipas burimeve të policisë nga Komisariati i Kavajës, Bledar Bilbili, 30 vjeç, me banim në Tiranë, në Rrugën "Bardhyl" është arrestuar gjatë ditës së djeshme, pas informacioneve të marra për sasinë që mbante Bilbili.


Ky i fundit është arrestuar në Golem, pranë shtëpisë së tij, pasi është pronar edhe i një banesë në Golem, ku më pas iu është sekuestruar edhe sasia e lëndës që dyshohet të jetë drogë e llojit kanabis sativa. Uniformat blu të Kavajës pas informacioneve që kanë siguruar për 30 vjeçarin, kanë bërë të mundur arrestimin e tij, pranë banesës në pronësi të tij në Golem.


Ky i fundit ka qenë person me precedentë penale, pasi ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të moskallëzimit të krimit. Ndërkohë në shtator të vitit 2005 ka përfunduar në prangat e Policisë së kryeqytetit për akuzën e plagosjes së rëndë, por që më pas është lënë i lirë.


Arrestimi i 30- vjeçarit Bilbili në këtë vit është bërë për shkak se ishte person i dyshuar për një tentativë vrasjeje bashkë me të vëllanë. Ndaj 30- vjeçarit me banim në Tiranë, rëndon akuza e "prodhimit dhe e shitjes së lëndëve narkotike", ndërsa dosja hetimore në ngarkim të tij do t"i kalojë Prokurorisë se Kavajës për hetime të mëtejshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›