Faji është i prokurorisë dhe i opozitës, jo i kryeministrit
Përshëndetje “Shekulli”! Ju falënderoj për hapësirën dhe ju përgëzoj që në këtë rubrikë kaq të ndjekur nga lexuesit, shfaqen mendime edhe pro, edhe kundër për çështjet e nxehta politike të ditës. Mendoj se në përplasjen e fundit mes kryeministrit dhe prokurorisë, medias dhe opozitës, barra e fajit është e këtyre të dytëve, sepse janë nxituar.
Ja, në shtypin e ditës, lexova që dy prokurorët e çështjes Fazlliç, vendosën që të heqin sekuestrot e llogarive të tij bankare. Vetëm një javë më parë, e njëjta prokurori vendosi që ato të bllokohen. Marrja e këtij vendimi, tregon se ç’fund kanë hetime të tilla të nxituara e të ngarkuara politikisht.
Edhe me rastin e hetimeve për Fazlliçin, të nisura “kryesisht”, patëm një keqpërdorim politik të çështjes, e cila çoi në një përplasje qëndrimesh ndërinstitucionale.
Reflektimi i shpejtë i dy prokurorëve të çështjes, mund të shërbejë si një rast i mirë për të zbutur klimën, për të rifituar atë qetësinë që meriton të ketë institucioni i prokurorisë, por edhe për t’i dhënë një rast opozitës që, më në fund, të kthehet në shinat e duhura e të mendojë, se si duhet ta kryejë aksionin opozitar.
Z.Fazlliç është një biznesmen i ndershëm, ndryshe kryeministri nuk do ta mbronte kaq hapur.