Nuk po na i nxjerrin notat e provimeve tona sipas rregullores
Shpresoj që ky e-mail të botohet, sepse kam shumë besim tek ju! Jam një lexues i rregullt i “Shekulli”-t! Unë jam një student në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe jam viti i tretë dega Gazetari. S’desha të flas me fjalë të mëdha, sepse desha që ta kuptojnë të gjithë këtë realitet që po na mbyt.
Nuk mund t’ju tregoj emrin sepse nesër kategorikisht jam i përjashtuar nga shkolla. Dikur një student që shkruante në këtë rubrikë tuajën, për pak sa desh e përjashtuan, por u mor vesh plani dhe për fat të mirë mbeti në tentativë.
Është viti i tretë rresht që, ne studentët e degës së gazetarisë, po qëndrojmë në ajër për punën e provimeve, sepse pedagogët, pas provimeve, nuk i nxjerrin notat sipas rregullores, por i mbajnë me muaj të tërë pa nxjerrë asnjë procesverbal nëpër sekretari.
Sekretarja thotë: “shkoni tek pedagogu i lëndës”, kurse pedagogu thotë: “i kam çuar notat në sekretari!” S’dimë se ku të shkojmë, nuk e kemi idenë, se sa provime kemi marrë e sa kemi pa marrë.