Ferizaj: LDK-ja paralajmëron veprime ligjore kundër vendimit të Kuvendit Komunal

Në konferencat e fundjavës, opozita ferizajase LDK-AAK, ka akuzuar pushtetin lokal për burokratizim. Derisa LDK-ja ka kërkuar që pushteti lokal ta shqyrtojë peticionin e prelezasve, si dhe anulimin e vendimit të KK-së për krijimin e zonës industriale, AAK-ja ka shprehur solidaritet me fshatarët.
“Ne konsiderojmë që ky vendim i Kuvendit Komunal të Ferizajt ka qenë një vendim i shkëputur, burokratik dhe është bërë pa marrëveshje me banorët e Prelezit, pa u paraqitur para tyre projektet se çfarë biznese do të ngrihen në fshatin e tyre, andaj Grupi parlamentar i LDK-së nuk ka marrë pjesë në votim. Me ardhjen tonë në pushtet ne u premtojmë banorëve të këtij fshati se do ta shfuqizojmë këtë vendim. Ne gjithashtu u garantojmë bizneseve se do t’u gjejmë hapësirë të mjaftueshme për zhvillimin e bizneseve të tyre”, pohoi Muharrem Sfarqa, kryetar i LDK-së. Ai kundërshtoi politikat e pushtetit lokal. “Ata po i dërgojnë bizneset te rruga dhe jo rrugën tek bizneset dhe po lejojnë tjetërsimin e pronës publike për interesa të ngushta, ne do të shikojmë edhe mundësinë e mbrojtjes ligjore të pronës dhe do t’i ndjekim të gjitha procedurat që vendimi i KK-së të anulohet”, paralajmëroi Sfarqa.
Banorët e Prelezit të Muhaxherëve këtë vendim të KK-së e kundërshtojnë me arsyetim se do të shkaktohet ndotje e ambientit jetësor të tyre dhe se ata kanë planifikuar që kjo pronë të shfrytëzohet për varrezat e fshatit dhe shih për këtë në komunë kanë dorëzuar peticionin prej më se 500 nënshkrimesh.
"Autoritet lokale kanë pasur mjaft kohë për ta shqyrtuar peticionin e adresuar nga banorët e fshatit, por kjo nuk është bërë. Kjo tregon se pushteti po punon në dëm të interesit të qytetarëve dhe kjo tregon se tjetërsimi i pronës është bërë për qëllime përfitimi", ka thënë Sfarqa. Nga ana tjetër, Sfarqa është kujdesur të mos i prishë punët me bizneset.
"Ne nuk jemi kundër bizneseve, por ne do të punojmë që t‘u gjejmë vende të tjera bizneseve. Ka hapësira të tjera ku mund të vendosen ato", ka thënë Sfarqa. Ai ka përjashtuar çdo mundësi të politizimit të këtij problemi, por ka theksuar se është e drejtë dhe obligim i opozitës që të reagojë për situata të tilla.
Edhe në Degën e AAK-së, e cila është konsoliduar pas procesit të brendshëm të zgjedhjeve është shprehur solidaritet me banorët e fshatit Prelez edhe pse këshilltarët e saj në kuvend kishin votuar për këtë vendim. “Ne solidarizohemi me banorët e fshatit dhe do të gjejmë forma t’i përkrahim ata”, ka pohuar Naim Ferati, duke mos dashur të komentojë votimin në Kuvendin Komunal të këshilltarëve të KK-së. I pyetur nga gazetarët se AAK-ja a do të vazhdojë të jetë opozitë apo partnere në hije e PDK-së, kryetari Ferati, pohoi se pasi që janë liruar nga procesi i brendshëm zgjedhor, do ta kemi mundësinë që t’i kushtojmë kujdes reagimeve si opozitë.
Ndërkaq për kryesuesin e KK-së, Xhavit Zariçi, i cili ishte zgjedhur nënkryetar i Degës së AAK-së tendenca e LDK-së që të kërkohet mbrojtje ligjore dhe të anulohet vendimi i KK-së është e natyrshme.
“Çdo nismë në mbrojtje të ligjshmërisë nuk është negative, le t’i shikojnë ata mundësitë ligjore dhe nëse ekziston bazë ligjore për këtë pse të mos ndryshohet”, tha ai për KD-në, duke pohuar se ende peticioni nuk ka arritur te ai. Ndërkaq, sipas burimeve të KD-së, pushteti lokal për të hënën ka planifikuar heqjen me forcë te telave gjemborë me të cilët fshatarët kanë kufizuar zonën industriale dhe e kanë shpallur pronë të fshatit.
Legjenda: Banorët e Prelezit të Muhaxherëve, këtë vendim të KK-së, e kundërshtojnë me arsyetim se do të shkaktohet ndotje e ambientit jetësor të tyre dhe se ata kanë planifikuar që kjo pronë të shfrytëzohet për varrezat e fshatit dhe shih për këtë në komunë kanë dorëzuar peticionin prej më se 500 nënshkrimesh./Indeksonline/