E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjilani paralajmëron masa ndaj dëmtuesve të pyjeve

Udhëheqës të Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë... së Gjilanit u kanë apeluar prerësve pa leje të pyllit të heqin dorë nga dëmtimi i pyjeve. Nazmi Rapuca, drejtor i Bujqësisë e Pylltarisë, ka bërë me dije se sa i përket mbrojtjes së pyjeve, këtë vit do të aplikohen masa më të ashpra sanksionimi ndaj prerësve pa leje të pyllit në Komunën e Gjilanit, që janë në rritje e sipër.

”Kemi vendosur që këtë vit të nisim masa të ashpra për sanksionimin e prerësve pa leje të pyllit. Ai ka kërkuar mobilizim të institucioneve të policisë e gjykatave që të bashkëpunojnë, sepse kohët e fundit ka ngecje sa u përket sanksioneve ndaj dëmtuesve të pyllit”, ka thënë ai.

Rapuca ka theksuar se ky sektor kërkon edhe më shumë përkushtim dhe bashkëveprim midis institucioneve përkatëse, policisë, prokurorisë, gjykatave e popullatës për t’u stabilizuar gjendja, sepse kohët e fundit trendi i personave që po ushtrojnë këtë veprimtari pa leje po shënon rritje të shkatërrimit të pyjeve, thotë Rapuca dhe thekson: ”Ftoj dëmtuesit e pyjeve që të heqin dorë nga dëmtimi i tyre, sepse këtë vit masat do të jenë shumë më të ashpra”.

Sipas tij, nga viti 2010 janë duke i mbrojtur edhe pyjet e Novobërdës, pasi që ata nuk kanë kapacitete, duke parandaluar disa raste të degradimit të pyjeve. Rapuca si problem në punën e sektorit të pyjeve e konsideron edhe mungesën e stafit,duke shtuar se gjatë vitit të kaluar ka pasur mungesë të punëtorëve pyjorë.

”Janë disa sipërfaqe të cilat po mbesin pa punëtorë pyjesh dhe kemi marrë premtim se do të sillen disa, të cilët do të ndihmojnë në parandalimin e shkatërrimit të pyjeve”, ka thënë ai. Ndërkohë, nga Gjykata e Kundërvajtjes kanë bërë të ditur se në raportin vjetor kanë në regjistër 30 raste të delikteve për dëmtim pyjesh, që janë kapur nga policia, ndaj të cilëve pritet të shqiptohen masa ndëshkimore. Mevlide Shabani, kryetare e Gjykatës..., ka thënë se gjatë vitit të shkuar janë regjistruar 30 raste, ndërsa edhe shumë raste të tjera Policia e Kosovës po i procedon në gjykatë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›