Ferizaj kërkon pikët e shpresës

Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 25-të e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa duele mjaft interesante, të vlefshme për titull dhe mbijetesë.
Ndeshje e tillë do zhvillohet të shtunën në stadiumin ‘Përparim Thaçi’ në Prizren, ku Ferizaj kërkon pikë në përballjen me Lirinë për të shpresuar akoma në mbijetesë.
“Pas një serie të paraqitjeve të mira, shpresojmë të vazhdojmë me ritëm të njëjtë edhe në Prizren. Liria ka një ekip të fortë dhe të respektuar. Megjithatë, ne synojmë të fitojmë pikë, duke shpresuar që të na prijë paksa edhe fati”, ka thënë trajneri i Ferizajt, Agron Selmani.
Por, bardhekaltrit nuk do ta kenë lehtë ta arrijnë objektivin, sepse fitore në këtë takim synon edhe skuadra vendase, Liria, e cila në javët e fundit ka kaluar nëpër një seri të zezë të rezultateve.
“Ne duhet t’iu kthehemi fitoreve pas tri humbjeve të fundit. Jam i mendimit se edhe lojtarët janë të vetëdijshëm që ka ardhur koha ta japin maksimumin dhe të shënojnë fitore pas këtyre rezultateve zhgënjyese”, tha trajneri i prizrenasve, Behajdin Gjinali.
Aktualisht Liria gjendet në vendin e gjashtë të tabelës me 33 pikë të tubuara, kur Ferizaj pozicionohet në vendin e fundit me vetëm 21 pikë, por akoma shpreson që të mbetet në Superligë.
Superliga – xhiroja e 25-të
E shtunë
Liria – Ferizaj
Trepça – KEK-u
E diel
Trepça ’89 – Drenica
Hysi – Ballkani
Prishtina - Flamurtari
Besa – Vëllaznimi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 15:00