E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e Leonardos është me Interin

Nga Express më 22 prill 2011 në ora 10:19

Drejtori ekzekutiv i Interit, Ernesto Paolillo, ka theksuar se trajneri Leonardo nuk ka arsye të brengoset për detyrën e tij pasi klubi nuk planifikon të largojë strategun brazilian.

Gjiganti italian brenda dy javëve të fundit është eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe ka vështirësuar dukshëm gjasat për të mbrojtur titullin në Serie A, por Paolillo ka theksuar se Leonardo do të mbetet në pankinë sezonin e ardhshëm. “E ardhmja e Leonardos është me Interin.

Ai është trajner i mirë dhe është duke punuar shumë mirë, jemi vërtetë të kënaqur. Vetëm për shkak se kemi humbur dy ndeshje, kemi filluar të lexojmë shumëçka në gazeta, por ato vijnë nga jashtë dhe jo nga klubi.

Ne nuk kemi asnjë problem dhe jemi të bindur se është duke punuar shumë mirë”, tha Paolillo për Goal.com. Paolillo theksoi se Inter nuk do të fillojë të planifikojë sezonin 2011-2012 para përfundimit të këtij të tashmit.

“Planet për sezonin e ri nuk kanë filluar ende. Duhet të hulumtojmë gjendjen në fund të sezonit, jo tani”, përfundoi ai. Inter është aktualisht në pozitën e tretë në Serie A me 63 pikë nga 33 ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›