Fillojnë provat e “Elektrës”
Fillimi i projektit është zvarritur gjatë për shkak të mungesës së buxhetit, i cili, ditë më parë është ndarë përfundimisht për TKK.
Ndryshe, në shfaqje do të angazhohet një kastë e aktorëve kosovarë emrat e të cilëve pritet të publikohen në ditë në vijim, ndërsa premiera e shfaqjes planifikohet të jepet në mes të qershorit.
Trilogjia “Elektrës i ka Hije Zija”, e Eugene O’Neill, në fakt është një rishkrim dhe modifikim i trilogjisë antike “Orestia”, të Eskilit. Tragjeditë familjare gjithmonë reflektojnë universalitet por edhe aktualitet. Brenda secilës shoqëri të pasluftës shfaqen kriza etike, që rezultojnë me ndryshimet thelbësore në botëkuptimin e së kaluarës dhe për vizionet e së ardhmes.
Çështja e demistifikimit të së kaluarës teston sistemin e vlerave në një shoqëri, por edhe përcakton efikasitetin e sistemit të drejtësisë.
Në momentin kur tentohet të varroset e vërteta, dhe kur pengohet demistifikimi i së kaluarës, atëherë është i paevitueshëm edhe degradimi i vlerave të një shoqërie.
Në qendër të trilogjisë “Elektrës i ka Hije Zija” është familja që, duke u munduar të varros të vërtetën për të kaluarën, degradohet dhe shkatërrohet. Degradimi vjen si pasojë e epshit, hakmarrjes, lakmisë për pushtet dhe dashurisë incestionale.
E vërteta e fshehur shkakton një zinxhir krimesh. Miti i rrejshëm për familjen e shëndoshë kalbet përbrenda, duke mos i lënë rrugë saj që të shfaqet në dritën e së vërtetës dhe të spastrohet. Shfaqja nuk pretendon që ta lokalizojë problemin, përkundrazi, ajo synon të flas për një problem universal të botës globale, ku degradimi i vlerave etike dhe manipulimi me të vërtetën rrezikojnë të shndërrohen në kancer të sistemit të drejtësisë.
Për këtë shkak, edhe hapësira dhe koha kur ndodh ngjarja do të jenë vetëm asociative, me qëllim të universalizimit të temës që trajtohet në tragjedi.