Gjeneral Prendi kërkon liri për të dalë nga shtëpia

Foto arkiv
Flamur Vezaj
TIRANË- Ish-Komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi tashmë nën hetim për vrasjen e demonstruesit fierak Faik Myrtaj, kërkon lirimin nga arresti shtëpiak në Gjykatën e Lartë, ku edhe përfaqësuesit e akuzës kanë dorëzuar rekursin, ku kërkohet arrestimi i Prendit dhe kthimin e tij në qeli nën masën e sigurisë arrest me burg. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Gjykatës së Lartë, ku mësohet se dosja me nr. 61004-00361 tashmë është regjistruar pranë kryesekretarisë së këtij institucioni dhe që pritet caktimi i relatorit të çështjes.
Sipas këtyre të dhënave, mësohet se të parët që kanë dorëzuar rekurs pranë Gjykatës së Lartë, kanë qenë përfaqësuesit e organit të akuzës, të cili kërkojnë nga Kolegji Penal prishjen e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit. Dy shkallët e gjyqësorit, ndaj ish-komandantit Prendi kanë caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie deri në përfundim të hetimeve. Por, me këto dy vendime organi i akuzës, nuk ka qenë dakord, çka i ka shtyrë ti drejtohen Gjykatës së Lartë me rekursin, për kthimin e Prendit në qeli nën masën e sigurisë arrest me burg. Bashkangjitur këtij rekursi, sipas të dhënave të mësuara nga organi i akuzës, prokuroria ka renditur të gjitha provat e paraqitura pranë dy shkallëve të gjyqësorit, ku identifikon Prendin si vrasës të demonstruesve me pistoletën e tij personale. Ky krim, sipas rekursit, është provuar nga ekspertët amerikan të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) të cilët kanë zbuluar se nga arma që kishte në përdorim Prendi ka gjetur vdekjen demonstruesi Faik Myrtaj, pasditen e datës 21 Janar 2011 në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Vetëm pak ditë pas paraqitjes së këtij rekursi nga përfaqësuesit e akuzës, ishte avokati Genc Gjokutaj i cili me firmën e ish-komandantit Prendi ka dorëzuar reskursin pranë Gjykatës së Lartë. Me anë të këtij rekursi, avokati mbrojtës kërkon që klienti i tij të lirohet nga izolimi i arrestit shtëpiak, pasi ndryshimi i kësaj mase sigurie nuk përbën rrëzikshmëri shoqërore apo ikje nga vetë i dyshuari. Gjithashtu, ndër pretendimet e mbrojtjes, mësohet se janë edhe ajo e ngritur në dy shkallët e gjyqësorit, se Prendi nuk ka kryer vrasje me dashje, por, thjesht ka kryer detyrën e tij prej ushtaraku, në mbrojtje të institucioneve shtetërore.
Në javën e ardhshme, sipas të dhënave të prokurorisë, pritet zyrtarisht komunikimi i akuzave ndaj personave tashmë nën hetim për ngjarjen dhe pasojan e demonstratës së 21 Janariot 2011. Në mesin e personave të cilëve do i komunikohet akuza e vrasjes, sipas akuzës, është i dyshuari Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa për efektivët e tjerë të Gardës së Republikës që kanë qëlluar me armët luftarake, do të ngrihen akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe përdorimit të armëve dhe municioneve duke shkelur rregullat dhe ligjet e përdorimit të tyre.
21 janari, në gjyq edhe inxhinieri i IT-së për fshirjen e serverit
Për Task-forcën e prokurorisë së Tiranës, edhe inxhinieri i IT-së pranë Këshillit të Ministrave Armando Kasaj, do të shkoj në gjyq së shpejti, pasi është provuar tashmë që ai ka konsumuar veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Sipas këtyre burimeve, është vetëm çështje kohe kur i dyshuari Kasaj do të dërgohet në gjyq me cilësinë e personit të pandehur, pasi ndaj tij thuajse kanë përfunduar hetimet dhe është provuar akuza. Ajo për të cilën ende dosja e serverit nuk është mbyllur, është fakti se po punohet për të zbuluar urdhërdhënësit e inxhinierit të IT-së Kasaj, që kanë kërkuar nga ai të kopjoj dhe fshijë pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë. Nuk përjashtohet mundësia që gjatë këtyre tre muajve, të konkludohet dhe të ngrihet akuzë konkrete edhe për ndonjë punonjës tjetër të Këshillit të Ministrave apo punonjës të sektorit të analizës pranë Gardës së Republikës-thanë burimet pranë organit qendror të akuzës.
Në oborrin e Kryeministrisë u gjendën 132 gëzhoja
Mbrëmjen e 21 janarit 2011 prokurorët e çështjes, që u ngarkuan për hetimin e vrasjeve të demonstruesve, gjetën dhe sekuestruan në oborrin e kryeministrisë 132 gëzhoja të plumbave luftarakë të kalibrit 9 mm të qëlluara nga katër lloj armësh, automatikë MP-5A2 e MP-5A3 dhe pistoleta Bereta e Makarov. Pas sekuestrimit të këtyre gëzhojave, prokuroria sekuestroi dhe dërgoi për ekspertim të gjitha armët e llojit MP-5 A2 dhe MP-5 A3 që efektivëve e Gardës së Republikës kishin në përdorim ditën e demonstratës.
Instituti i Policisë Shkencore përpiloi një raport ku thuhet se 118 plumba luftarakë janë qëlluar nga gjashtë armë të llojit MP-5A2 dhe MP-5A3 që kishin në përdorim pesë efektivët e njësisë speciale të Gardës së Republikës. Pamjet filmike dhe fotografitë e medieve kanë treguar se disa nga gardistët kanë pasur me vete atë ditë deri edhe nga dy armë të llojit MP-5A2 dhe MP-5A3. Disa prej tyre shfaqen në filmime me njërën në dorë duke qëlluar në lartësi njeriu ndërsa tjetra u varej pranë këmbës. Gardisti Agim Llupo, që për prokurorinë vrau Ziver Veizin, ka qëlluar 32 plumba luftarakë dhe është i vetmi që ka përdorur armën MP-5A2. Gardistët e tjerë Gazmend Ahmetaj 46 plumba, Mark Nikolli 18 plumba, gardisti I.D. 12 plumba dhe Sadik Çela 10 plumba luftarak nga totali i 118 plumbave me armët e llojit MP-5A3. Përveç këtyre armëve, ekspertët konstatuan se janë shkrepur edhe 11 plumba luftarakë nga një pistoletë e llojit Beretë dhe tre plumba nga pistoleta e llojit Makarov. Nga ekspertimi i dy pistoletave të dërguara në SHBA nga agjentët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-ja), ka rezultuar se 11 plumba janë qitur nga arma e llojit Bereta që kishte në përdorim ish-komandanti tashmë nën hetim për vrasjen e Faik Myrtaj, i dyshuari Ndrea Prendi. Tre plumbat e Makarovit janë ende mister