E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fermerët: Kooperativat do të rrisin prodhimin

Çmimet e larta për produktet bujqësore kanë filluar të ngacmojnë bujqit shqiptarë, që po kërkojnë rrugë të reja për të rritur prodhimin, çka do t‘u sillte më shumë fitime. Prodhues dhe përfaqësues të shoqatave të agrobiznesit diskutuan dje në Tiranë, në takimin kombëtar të fermerëve, mbi mundësitë e zgjerimit të sipërfaqeve të fermave, me qëllim rritjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral të vendit. Në takim u theksua se copëzimi i tokës bujqësore në parcela të vogla deri në 1,1 hektarë, si dhe mungesa e marketingut dhe infrastrukturës rurale, mbeten faktorët kryesorë që mbajnë peng zhvillimin e bujqësisë, në një pjesë të konsiderueshme të zonave të vendit. Përfaqësuesi i Shoqatës së Fermerëve Shqiptarë, Nesti Zoi, tha se "bashkimi i fermave të vogla private, mbi bazën e mjeteve dhe forcave të punës, si dhe ndarja e të ardhurave sipas kontributit, do të ndikojë direkt në rritjen e prodhimit". Ai kërkoi më shumë mbështetje me kredi për fermerët nga bankat, për rritjen e shkallës së mekanizimit dhe blerjen e inputeve cilësore për bujqësinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›