Fernando Gentilini përfaqësues i BE-së në Kosovë
Këshilli i BE-së ka marrë vendim për emërimin e Fernando Gentilinit në postin e përfaqësuesit Special të BE- së në Kosovë për një periudhë kalimtare.
Sipas gazetës kosovare Express bëhet me dije se vendet anëtare të BE-së e kanë marrë këtë vendim me konsensus të plotë.
Diplomati italian do zëvendësojë holandezin Pieter Feith, i cili është përfaqësues Special i BE-së në Kosovë që nga shkurti i vitit 2008. Megjithatë, Feith do të vazhdojë punën në Kosovë edhe pas 30 prillit, por vetëm si Shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare, pozitë në të cilën ka mandat të pakufizuar.
Brukseli ka vendosur që emisari i ri të ketë mandat vetëm tre mujor për shkak se shtetet anëtare ende nuk janë pajtuar rreth riorganizimit të pranisë europiane në Kosovë dhe nëse EUSR-ja do të shërbej edhe si Shef i ICOsë.
Deri në fund të korrikut të këtij viti, në BE shpresohet se do të ketë marrëveshje për rigrupimin e strukturave europiane në Kosovë dhe do të emërohet emisari me mandat të plotë.
Aktualisht, Fernando Gentilini është një nga këshilltarët për Ballkanin në Sekretariat të BE-së dhe është i përfshirë edhe në dialogun për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka punuar në Kosovë në vitin 2004 dhe 2005, si përfaqësues personal i Javier Solanës.
Gentilini ka filluar karrierën në shërbimin diplomatik të Italisë në vitin 1990. Ka punuar në Ambasadën italiane në Etiopi. Më vonë është dërguar në Misionin e përhershëm italian në Bruksel.
Para se të emërohet emisar i Solanës në Prishtinë, Gentilini ka qenë shef i Departamentit për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Italisë.
Nga viti 2008 deri më 2010, ai ka shërbyer në Afganistan si Përfaqësues i Lartë Civil i NATO-s