E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Nga data 9 maj do jem ne dispozicion te plote te Tiranes

Kandidati demokrat për kryebashkiak, Lulzim Basha, u kushton kohë të veçantë grave, nënave, gjimnazistëve dhe të rinjve të Tiranës.

Platforma e Lulzim Bashës ka gjetur mbështetje të fortë nga gratë, të cilat, sot vuajnë më së shumti mungesën e punësimit, degradimin e infrastrukturës, furnizimin me orare me ujë të pijshëm, e deri tek shpërthimi i ujerave të zeza përreth banesave te tyre.

Shpresa që ka ngjallur Lulzim Basha me projektin e tij për Tiranën është reflektuar më së shumti në takimin e zhvilluar me gra të grupmoshave të ndryshme në Pallatin e Kongreseve.

Në platformën e tij, Basha parashikon stimuj të veçantë për punësimin e tyre, krijimin e lehtësirave për gratë në marrëdhënie pune dhe mbështetje të veçantë për gratë kryefamiljare.

“Duke filluar nga data 9 maj, do të jem në dispozicion dhe shërbim të plotë të qytetit të Tiranës, të qytetarëve të Tiranës, të nënave, grave, motrave të Tiranës. Dera ime do të jetë e hapur për këdo që ka problem, sepse bashkia dhe kryebashkiaku, duhet t’i dëgjojë dhe t’i zgjidhë problemet. Veshët dhe sytë e mi nuk do të mbyllen para asnjë problemi , sado i rëndë qoftë, sa do larg të jetë, për sa kohë që është problem i qytetareve dhe qytetarëve të Tiranës. Kryebashkiaku thotë; unë nuk kam lidhje me çmimet, por taksat që janë rritur nga viti në vit.

A kanë lidhje taksat me çmimet? A dalin këto para në fund të fundit nga xhepat tanë? Prandaj unë kam një plan konkret për të normalizuar çmimet në këtë qytet. Që fillon me uljen e shumëfishtë të taksave për qytetarët dhe bizneset e Tiranës dhe themelimin e agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Agjenci e cila do të hulumtojë, godasë, raportojë këdo që spekulon me çmimet në Tiranë.

Prandaj u them sot, do t’i ul taksat dhe do të bëj normalizimin e çmimeve në këtë qytet, prioritetin tim numër 1.

Një vëmendje të veçantë do të kem për gratë kryefamiljare. Në programin tim të strehimit, i cili parashikon një fond special për çiftet e reja në Tiranë, dhe 1000 apartamente sociale brenda katër viteve të ardhshme, do të ketë vend të bollshëm për të trajtuar problemin e tyre. Ne do të përparësojmë punësimin e gruas dhe krijimin e kushteve të barabarta të pagesës për gratë në këtë qytet.

Për të gjitha ato të cilët gjatë muajve të verës vazhdojnë punën ndërkohë që kopshtet, çerdhet dhe shkollat mbyllen, bashkia e Tiranës duke filluar nga vera e ardhshme do të aplikojë për këtë qëllim, nën drejtimin dhe supervizimin tim, shkollat verore, kopshtet verore, për fëmijët e grave të punësuara që nuk mund të kujdesen për to gjatë kohës që janë në punë. Ne do t’i përvishemi punës, sepse 9 maji është dita europiane, por është po kështu, dita kur ne fillojmë rrugëtimin për Tiranën europiane modern”, u shpreh Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›