E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet fasada e pallatit të kunatit të Dash Pezës

TIRANE- Pasditen e sotme Inspektoriati i Lartë i Ndërtimit, ka nisur një aksion për shembjen e një pallati në qendër të Tiranës. Pallati që ndodhet pas Hotel Tirana, mësohet se është në pronësi të kunatit të deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Fadromat kanë ndërhyrë në 3 katet e para të ndërtesës 12 katëshe, ndërsa dëmtimi mund të rrezikojë edhe ndërtesat e tjera ngjitur me të.

Në lidhje me këtë pallat ka akuza se është ndërtuar pa leje dhe pengon kalimin e banorëve që jetojnë në pallatat e tjera pas tij, ndërsa ka zëra se do të ndërhyet vetëm në katet e para për të zhbllokuar rrugën.
Për momentin nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga ana e autoriteteve përkatëse, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur përfaqësues të OSBE-së dhe deputetë të Partisë Socialiste.

Në vendin e ngjarjes janë grumbulluar forca të shumta policie, ndërkohë që momentalisht është ndërprerë ndëryrja. Deputeti Peza është akuzuar kohët e fundit nga kryeministri Berisha për marrjen e lejeve të ndërtimit në mënyrë abuzive, i favorizuar edhe nga kryetari i Bashkisë Edi Rama.

Ndërkohë që pas akuzave të kryeministrit Berisha, kryebashkiaku Rama është përgjigjur se lejet e ndërtimit jepen nga KRRT-ja në të cilën gjysma e anëtarëve janë të zgjedhur nga Partia Demokratike. Rama ju përgjigj publikimit të dosjeve nga kryeministri duke theksuar se lejet e ndërtimit janë firmosur prej tij, ashtu sic e kërkon ligji, pasi janë marrë vendimet në KRRT.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›