E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferrari, gati rinovimi për Shumin

Ferrari ka programuar fillimin e bisedimeve me Mikael Shumaher, për të vlerësuar mundësitë që bashkëpunimi mes palëve të zgjatet përtej vitit 2009. Gjatë një interviste për "Autosprint", Stefano Domenikali, përgjegjësi i skuadrës "kokëkuqe", deklaroi se në Maranelo janë të gatshëm t‘i rinovojnë kontratën shtatë herë kampionit të botës në Formula 1. "Puna që Mikael zhvilloi me ne, si në sektorin e veturave rrugore, ashtu edhe me ato të garave, do të vazhdojë sipas kontratës mes palëve, deri në fund të vitit 2009", deklaroi Domenikali. "Në sezonin e ardhshëm do të bisedojmë me të, për të kuptuar nëse ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe për periudhën në vazhdim". Ndërkohë, burime pranë skuadrës që fitoi garën për konstruktorë në sezonin e kaluar, bënë të ditur se Ferrari do të jetë shtëpia e parë prodhuese që do të prezantojë njëvendëshen për Botërorin 2009. Makina e re do të shfaqet në mes të janarit në Fiorano, sipas të gjitha gjasave në datën 15, ditë kur Tojota do të publikojë fotot e para të TF109. Një ditë më pas do të prezantohet MekLaren 2009, ndërsa më 19 janar, Uilliams dhe Reno do të zhvillojnë testime në Portugali.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›