E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo: Seria A tani është përmirësuar shumë

"Mundet edhe të gaboj, por më duket se ky kampionat është përmirësuar në krahasim me sezonin e kaluar të Serisë A". Mendimi i Murinjos në intervistën e dhënë për "Inter Channel" fillon të ndryshojë shumë në krahasim me atë që ka dhënë pak kohë më parë, ku citonte se "futbolli italian nuk është shumë tërheqës". "Skuadrat janë më shumë ofensive, pa asgjë në lidhje me organizimin e tyre taktik. Nuk po them se është më i mirë, sepse Murinjo është në Itali apo sepse Interi luan në mënyrë spektakolare".

Citon emra si ata të kolegëve, Spaleti, Xhampaolo, Marino, Zenga, "të cilët duan të luajnë një futboll të organizuar, por që propozojnë edhe një spektakël sportiv". Sigurisht, konstaton, në krahasim me Premier League, se në Itali "nuk ekziston i njëjti emocion, spektakël dhe përgatitje e një industrie, e cila dëshiron të shesë atë që prodhon. Prandaj këto kampionate janë më impresionuese, sesa kampionati italian", thotë ai. Duke eksploruar në karrierën e tij futbollistike, Murinjo përkufizohet si "një lundërtar në botën e futbollit".

"Nuk dëshiroj të ndalem, jam i ri, kam edhe të paktën 15 vjet punë përpara meje, në nivelet më të larta. Sigurisht që dua të përmirësohem, shpjegon ai. Kur të mbyll aventurën time me Interin, ku jam shumë i lumtur, do të shkoj të drejtoj një skuadër në një tjetër vend". Trajneri zikaltër flet edhe për marrëdhëniet e tij me lojtarët. Ai sqaron, se i pëlqen ai tip lojtarësh që "flasin idiomën time futbollistike, që kuptojnë në ajër atë që do trajneri dhe që nuk ka nevojë të tërhiqet zvarrë. Ai lojtar që ka një vlerësim për veten dhe që i pranon gabimet e tij".

Trajneri i Interit ka folur edhe në lidhje me ardhjen e Devid Bekhamit në Itali. "Të kesh një si Devid Bekham në të njëjtin kampionat, ku luan edhe ti, është fantastike. (Qesh) Shpresoj që ai të mos jetë në formën e duhur, për shkak se ne jemi kundërshtarë, por mendoj se ai do të tërheqë vëmendjen e të gjithëve. Ai është më shumë se lojtar, ai është diçka e veçantë në botë, jo vetëm në botën e sportit dhe prandaj jam vërtetë i kënaqur që ai është këtu.

Pas diskutimeve për futbollin vjen edhe urimi për Krishtlindje: "Është e thjeshtë të them se dua për ju të gjithë, të njëjtat gjëra që dua për familjen time: lumturi, paqe, shëndet, gëzim. Futbolli nuk është i rëndësishëm, bota është më e rëndësishme, familja është më e rëndësishme. Ne jemi më të rëndësishëm sesa futbolli. Por, të jetë e qartë, kemi nevojë për fitore për të qenë vërtetë të lumtur...".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›