E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellohet kriza, gjashtë klube shpallin bojkotin

• Gjashtë klube të Kategorisë Superiore kanë deklaruar dje publikisht bojkotimin e kampionatit, duke kërkuar mbledhjen e menjëhershme të Asamblesë së Jashtëzakonshme nga FSHF.FATJON KODRAPartizani, Vllaznia, Besa, Shkumbini, Kastrioti, Elbasani nuk do të zbresin sot në fushë, ndërkohë që te Tirana është vetëm donatori Refik Halili ai që i është bashkuar nismës. Drejtuesit e këtyre klubeve kanë dalë dje në një konferencë për shtyp pas një mbledhjeje të gjatë, ku kanë vendosur të marrin vendimin ekstrem. Pas përjashtimit pa afat në arenën ndërkombëtare nga FIFA dhe UEFA, kriza në futbollin shqiptar mori përmasa edhe më të mëdha. Mund të thuhet fare mirë se kjo krizë është një nga më të rëndat në historinë 77-vjeçare të futbollit shqiptar. Situata është agravuar pas vendimit të djeshëm të drejtuesve më të lartë të shtatë klubeve elitare të futbollit shqiptar, por që gëzojnë edhe mbështetjen e 14 klubeve të Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Kështu, java e 24-t e Kategorisë Superiore, e shtyrë të shtunën e kaluar pas tragjedisë së Gërdecit, ka të ngjarë të mos zhvillohet ose në rastin më të keq të bojkotohet. Nga gjashtë takime të Superiores mund të luhet vetëm një prej tyre, Besëlidhja-Dinamo. Të mbledhur në “Colosseu 2” në kryeqytet, pronë e presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj, 7 drejtuesit e klubeve Partizani (përfaqësuar nga Genc Tomori), Besa (përfaqësuar nga presidenti Nexhat Bizhdili), Vllaznia (përfaqësuar nga presidenti Valter Fushaj), Elbasani (përfaqësuar nga presidenti Arben Laze e zv/presidenti Gentian Çërraga), Shkumbini (përfaqësuar nga presidenti Xhavit Ismaili), Tirana (përfaqësuar nga donatori Refik Halili) dhe Kastrioti (i përfaqësuar nga sekretari i klubit Ramadan Ndreu e nënkryetari i Bashkisë Krujë, Reshit Merlika) kërkuan bojkotimin e kampionatit, në shenjë proteste, kundër mosreflektimit të federatës. “Kërkojmë të caktohet urgjent data për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme, në bazë të statutit, neni 25, pika 2, ku janë mbledhur më shumë se 21 vota anëtarësh të nevojshme për këtë asamble”, thuhej në deklaratën e shtatë klubeve, të lexuar nga presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj. Pas debatesh që zgjatën më shumë se dy orë për të rënë në një konsensus dhe vendim përfundimtar, drejtuesit e shtatë klubeve vendosën një ultimatum, edhe pse ishin të vetëdijshëm për penalizimet që i presin. “Kërkojmë shtyrjen e kampionatit deri në caktimin e datës për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme. Në rast mosplotësimi të kërkesave si dhe në rast të marrjes së ndonjë mase penalizimi ndaj klubeve që do të bojkotojnë nesër (sot) do të ndërmarrim çdo veprim demokratik për mbrojtjen e të drejtave tona deri në protesta si dhe deri në bojkotim total të kompeticioneve futbollistike”, përfundon deklarata. lazePresidenti i Elbasanit, Arben Laze ka deklaruar se skuadra e tij nuk ka për të dalë në fushë sot, por edhe nëse e bën një gjë të tillë, ai do të largohet nga verdheblutë. “Besoj se skuadra nuk do të zbresë në fushë. Unë gjendem këtu bashkë me ortakun tim, Cërraga, tha Laze. Nëse Shqipëria dhe klubet e saj do të përjashtohen përfundimisht nga UEFA dhe FIFA unë do të jap direkt dorëheqjen. Më pas duhet ta bëjë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe pastaj ministri Pango. Në këtë vendim jam unë bashkë me shumë presidentë të tjerë, që bëjnë sakrifica financiare për klubet”.bizhdiliPresidenti i Besës, Nexhat Bizhdili deklaroi dje se ai nuk ka asnjë probleme me drejtuesit e FSHF-së. “Mediat janë të njohura për këtë problem. Kemi 3 vjet e gjysmë që presim, me logjikën se po na shtrëngon UEFA, po na shtrëngon FIFA, - tha presidenti i Besës, Bizhdili. - Ne nuk jemi as kundër zotit Duka dhe as kundër zotit Pango. Ne duam të dimë se ku do të shkojnë paratë tona. Futbolli të jep satisfaksion, por kërkon edhe gjendje financiare. Dikush do të luajë në UEFA, dikush në Intertoto, lojtarët duhen paguar, por kështu ne jemi bërë tamam si ekip fshatrash. Letra e Blater? Edhe Blater mund të jetë i manipuluar”, tha Bizhdili.fushajPresidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj është shprehur se FSHF duhet të kishte treguar më shumë respekt për investimet e tyre. “Firmat do të depozitohen në FSHF, ashtu siç bëmë edhe herën e parë, duke i depozituar brenda rregullave në federatën e futbollit. Jemi të gatshëm të bashkëbisedojmë për zgjidhjen e problemit në çdo orë dhe në çdo vend. Jemi penalizuar nga federata, pasi ajo duhet të jetë gjithmonë përgjegjëse për klubet, ashtu si ne për fansat. Duhet të kishte pasur më shumë respekt për një klub 90-vjeçar si Vllaznia, si dhe për klubet e tjera, por edhe më shumë respekt për investimet”, tha Fushaj.IsmailiPresidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili ishte mjaft i qartë në kërkesat e tij. “Ne kërkojmë të zgjidhim problemet me statutin dhe të mos pezullohemi nga UEFA dhe nuk po ngremë problemin e dorëheqjes së Dukës, - tha ai. - Kërkojmë zgjidhjen e problemit, për arsye se klubet janë të dëmtuara direkt nga vendimi i UEFA-s dhe FIFA-s për pezullim. Ne nuk e bëjmë këtë për ministrinë, por e bëjmë për futbollin. S’duam të bjerë cilësia e futbollit, pasi nëse përjashtohemi do të bjerë cilësia e futbollit. S’kemi lidhje as me dorëheqjen e Dukës dhe as me dorëheqjen e Pangos. Në rast se ata s’i zgjidhin problemet ne do të kalojmë në hapat e tjerë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›