Festa, Topi dekoron gratë ushtarake dhe gazetare
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në Ditën e Ndërkombëtare të Grave, ka zgjedhur për të dekoruar, ushtarake që shërbejnë në Forcat tona të Armatosura si dhe personalitete në fushën e gazetarisë. Në dy ceremoni të ndara, kreu i shtetit, e konsideroin ditën e sotme si shumë të veçantë, ndërsa i konsideroi gratë si një pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë sonë. Ai vlerësoi kontributin e grave ushtarake, duke shtuar se, kjo ditë e veçantë patjetër që na bën që të reflektojmë, por edhe të inkurajojmë pjesëmarrjen e gruas kudo, në çdo fushë të jetës
Presidenti Topi u dorëzoi Medaljen Për Shërbime Ushtarake, me motivacionin: Për merita dhe kontribut të çmuar në shërbim të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Nënkoloneles Rudina Kadriu, Nënkoloneles Vebie Sala, Kapitenes Aida Kërçuku, Kapitenes Dafina Xhixho, Togeres Blerina Breçani, Togeres Blerina Çipa, dhe zonjës Alketa Poçari.
Më pas në ambientet e Preisdencës është mbajtur një tjetër ceremoni, ku presidenti Topi ka dekoruar personalitete të mirënjohura në fushën e gazetarisë.
Presidenti Topi dekoroi me Urdhrin Nënë Tereza, Nexhmije Zajmin (pas vdekjes), me motivacionin: Një ndër shembujt e ndritur në rrugën e vështirë të emancipimit të femrës shqiptare që u ngrit mbi normat dhe mentalitetin e shoqërisë patriarkale dhe u bë një veprimtare e shquar shoqërore dhe profesioniste e zonja në fushën e gazetarisë. Gjithashtu, Kreu i Shtetit dekoroi me Urdhrin Naim Frashëri i Artë, zonjat: Adile Xhabijen, me motivacionin: Për kontribut të veçantë si veprimtare për çështjen e emancipimit të femrës shqiptare dhe si një ndër gazetaret e para në vendin tonë, pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe Tefta Radin, me motivacionin: Gazetares së mirënjohur të Radio-Televizionit Shqiptar që me punën profesionale dhe me personalitetin e saj u bë një ndër figurat më të respektuara të ekranit