E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto ne Brunei Garanatohet njohja e pavaresise se Kosoves

Brunei nuk sheh asnjë pengesë, apo problem, që të njohë pavarësinë e Kosovës. Deklarata u bë nga Sulltani Hassan al Bolkiah Mu’izzaddin Ëaddaulah gjatë pritjes që ai i bëri zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto.
Në kuadër të vizitave zyrtare në Azinë juglindore, Ministri Haxhinasto zhvilloi sot një vizitë një ditore në Brunei, ku u prit në një audiencë të veçantë nga Sulltani i Bruneit, Madhëria e tij, Hassan al Bolkiah Mu’izzaddin Ëaddaulah si dhe pati një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Bruneit, princin Mohamed Bolkiah.
Në audiencën me Sulltanin e Bruneit, Ministri Haxhinasto vlerësoi se marrëdhëniet midis dy vendeve duhet të forcohen më tej në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Këtij bashkëpunimi do t’i shërbejë edhe shkëmbimi i vizitave zyrtare, tha ai, duke risjellë në vëmendje ftesën për Sulltanin që të vizitojë vendin tonë, në një periudhë sa më të afërt. Po ashtu, në takim, bashkëbiseduesit vlerësuan se disa nga fushat ku bashkëpunimi mund të zhvillohet më tej janë: energjia, turizmi, ekonomia, tregtia, agrobiznesi, etj. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi, Sulltani shprehu dëshirën që të punohet më tej në projekte të veçanta për të cilat ai garantoi vëmendjen dhe angazhimin e palës së Bruneit.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit. Ministri Haxhinasto nënvizoi se marrëveshjet e fundit midis Serbisë dhe Kosovës kanë krijuar një situatë favorizuese jo vetëm për përfshirjen e Kosovës në nismat dhe bashkëpunimin rajonal, por edhe për njohje të reja. Në këtë kuadër ai i parashtroi Sulltanit kërkesën që Brunei ta rishikojë qëndrimin e vet me një vështrim për njohjen e Kosovës. Në përgjigje, Sulltani Hassan al Bolkiah Mu’izzaddin Ëaddaulah tha se Brunei nuk sheh asnjë pengesë, apo problem, që të njohë pavarësinë e Kosovës.
Në takimin që Ministri Haxhinasto zhvilloi me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Bruneit, princin Mohamed Bolkiah u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, jo vetëm mes Ministrive të Jashtme të dy vendeve, por edhe institucioneve të tjera, ku interesat janë të ndërsjella. U fol për mundësitë e investimeve konkrete, sidomos në energjitikë, bujqësi etj.
Ministri Haxhinasto pas vizitës në Singapor dhe Brunei, do të vazhdojë turin e tij në Azinë Juglindore, ku nesër do të qëndrojë në Tajlandë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›