Festa e Bajramit, Siria ul armët për 4 ditë

Komanda e ushtrisë siriane ka thënë se do të pezullojë operacionet ushtarake kundër rebelëve gjatë Festës së Kurban Bajramit. Lajmi është konfirmuar nga televizioni sirian në Damask.
“Me rastin e Festës së Shenjtë të Bajramit, lidershipi i përgjithshëm i ushtrisë dhe forcave të armatosura ka njoftuar pezullimin e operacioneve ushtarake në Republikën Arabe të Sirisë, nisur nga e premtja, më 26 tetor, deri të hënën, më 29 tetor”, ka lexuar njoftimin spikeri i lajmeve.
Sidoqoftë, ushtria siriane ka thënë se rezervon të drejtën për të reaguar ndaj sulmeve të rebelëve.
Pezullimin e luftimeve e kanë pranuar edhe rebelët e Ushtrisë së Lirë Siriane, të cilët po ashtu kanë paralajmëruar se do të reagojnë nëse forcat qeveritare shkelin marrëveshjen.
Armëpushimi është iniciuar nga Kombet e Bashkuara me shpresën se do të çojë në bisedime midis palëve luftuese.
Ndërkaq më herët në Alepo të Sirisë janë raportuar luftime të ashpra, në prag të armëpushimit të propozuar për Festën e Bajramit.
Aktivistët thonë se rebelët kanë marrë nën kontroll dy qarqe të qytetit dhe se përleshje të rënda janë zhvilluar rreth aeroportit ushtarak.